Çfarë mund të bëhet më shumë për forcimin e lidhjes Kosovë – Shqipëri

04 janar 2018 | 12:01

Adri Nurellari

Viti i Ri që hymë jo vetëm se do ta shënojë dhjetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, por edhe qindvjetorin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Kjo organizatë e themeluar nga atdhetarë të shquar si Kadri Prishtina, Sali Nivica, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Bajram Curri apo Hafiz Ismet Dibra me qendër në Shkodër ka shënuar një rol të rëndësishëm në përpjekjet e shqiptarëve për liri në trojet e pushtuara nga Jugosllavia. Jo vetëm se kjo ngjarje e shënuar duhet bërë pjesë e festimeve të jubileut të pavarësisë së Kosovës duke e parë si zanafillën historike të kësaj arritje, por duhet analizuar edhe për sa i përket marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Të dy qeveritë u mblodhën sërish në Korçë dhe Vlorë në fund të nëntorit që lamë pas, mirëpo përtej atmosferës së ngrohtë vëllazërore, prapë një pjesë e qytetarëve mendojnë se ngelet ende shumë për t’u bërë në këtë marrëdhënie. Një ndër marrëveshjet e para mes Kosovës së pavarur dhe Republikës së Shqipërisë ka qenë ajo për restaurimin e dy monumenteve në territorin e Shqipërisë që lidhen me historinë e Kosovës. Prishtina mori përsipër ta restauronte kullën e Sali Manit në Bujan të Tropojës ku u mbajt Konferenca e Bujanit dhe e përmbushi këtë gjë në mars të vitit 2013. Nga ana tjetër, Tirana u zotua për ta krijuar muzeun e Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës në ndërtesën ku ka qenë vendosur. Restaurimi nisi për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 2012, mirëpo realizimi i muzeut nuk u bë, gjë që lë shumë për të dëshiruar.

Mosrealizimi i obligimit të marrë përsipër nga Shqipëria për mundësimin e këtij muzeu kaq domethënës është një dëshmi e mangësive që qëndrojnë në raportin mes dy shteteve të banuara nga i njëjti komb. Kuptohet që ngarkesa emocionale e kësaj lidhje bën që tema e problemeve të këtij raporti të mos trajtohet me kurajë e sinqeritet, por mbase ngaqë jam shtetas i të dy shteteve mua më vjen më lehtë të flas për mundësitë e pashfrytëzuara në lidhje me këtë marrëdhënie dypalëshe. Një ndër gjërat e para që më vjen në mendje si potencial i pashfrytëzuar është mungesa e një pakti të qasjes së lirë në det në mes të Shqipërisë dhe Kosovës që do ta zgjidhte dizavantazhin gjeografik të Kosovës.

Për ta mundësuar qasjen e lirë në det do të duhej që pjesë e marrëdhënies mes Tiranës dhe Prishtinës të ishte nënshkrimi i një traktati dypalësh me Republikën e Shqipërisë për kalim të lirë drejt detit nëpërmjet territorit të saj si dhe për huamarrje afatgjatë të hapësirave portuale me të drejta ekstra-territoriale. Edhe pse u propozua nga ish-kryeministri Berisha dhënia e portit të Shëngjinit në përdorim një dekadë më parë, asgjë konkrete nuk është bërë në këtë aspekt.

Ky traktat do të duhej t’i përfshinte praktikat e mira të ngjashme ndërkombëtare të bëra nga vende të tjera si Kosova që nuk kanë qasje në det me shtetet fqinje mike të tyre dhe do të përfshinte jo vetëm të drejtën e transitit të lirë, por edhe mundësimin e zotërimit të institucioneve të doganave dhe hapësirave magazinuese në portet shqiptare të Adriatikut. Po ashtu, duke pasur parasysh një marrëveshje shumëpalëshe të quajtur “Deklarata që u Njeh të Drejtën e Flamurit Detar Shteteve pa Bregdet” të nënshkruar në vitin 1921 do të synohet aplikimi i një praktikë të hershme të shumë shteteve që janë në brendësi të kontinentit për ta pasur flotën e tyre tregtare që lundron nëpër botë me flamurin e tyre shtetëror.

Modelet që mund të huazohen janë të shumta. Bolivia e ka bërë një marrëveshje të këtij lloji me Argjentinën që në vitin 1937 për lirinë e transitit në rrugë tokësore dhe mandej marrëveshja është zgjeruar në dekadat e tjera duke përfshirë mundësimin e zonës së lirë për bolivianët në portet argjentinase të Barranqueras, San Nicholas dhe Rosario. Një marrëveshje të tillë ka bërë Nepali, i izoluar me Indinë në vitin 1960 që përfshin jo vetëm të drejtën e transitit të lirë, por edhe mundësimin e zotërimit të institucioneve të doganave dhe hapësirave magazinuese në portin e Kalkutës.

Në vitin 1963 një marrëveshje të ngjashme ka bërë edhe Mali me Senegalin në Afrikë duke i dhënë qasje të lirë në infrastrukturën portuale të portit të Dakarit. Pra, do të synohet krijimi i një flote kosovare tregtare, në mënyrë që Kosova jo vetëm të ketë dalje në det, por edhe të ketë një flamur shtetëror të saj që valëvitet nëpër detet dhe oqeanet e globit duke konsoliduar pozicionin dhe praninë ndërkombëtare.
Po ashtu, është i pakuptueshëm reagimi i frikësuar dhe servilosës ndaj Brukselit që erdhi nga zyrtarët e Tiranës, kur presidenti i Republikës së Kosovës sugjeroi dhënien e pasaportave shtetasve të Kosovës.

Nuk ka asgjë për t’u alarmuar në këtë aspekt sepse kjo dhënie e pasaportës nga shteti për bashkëkombësit jashtë kufirit ka ndodhur kudo në Ballkan. Bullgaria ka dhënë pafund pasaporta bullgare për shtetasit e Maqedonisë, të njëjtën gjë ka bërë edhe Rumania me Moldavinë apo Hungaria me hungarezët e Transilvanisë dhe Vojvodinës. Kjo ka ndodhur edhe me kroatët e Hercegovinës të cilët prej kohësh kanë marrë një numër të konsiderueshëm pasaportash të Kroacisë. Është e kuptueshme që ekziston një presion nga Bashkimi Evropian për ta bërë këtë gjë, mirëpo Republika e Shqipërisë duhet të bëjë sakrifica për hir të Kosovës. Së pari mund të niset me pasaporta shqiptare për atë pjesë të shoqërisë që e ka më të nevojshme lehtësirën e udhëtimit dhe puna e të cilëve ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e përparimin e shoqërisë kosovare. Konkretisht këtu mund të përfshihen kategori si sipërmarrësit, akademikët, studentët, artistët, sportistët apo zyrtarët e lartë.

Një tjetër çështje që duhet të bëhet pjesë e marrëdhënies Tiranë – Prishtinë është edhe bashkëpunimi energjetik. Është e pakuptueshme se si qeveria aktuale e Shqipërisë flirton me Beogradin për të rënë në sy të mirë të Brukselit, mirëpo nuk bën asnjë përpjekje për ta zhbllokuar vënien në punë të linjës së interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë që bllokohet nga energjia. Po ashtu, në pamundësi për t’u anëtarësuar në ENTSOE dhe në bllokimin e vazhdueshëm që po i bëhet Kosovës për të regjistruar operatorë të pavarur të energjisë atëherë duhet menduar seriozisht që operatorët e Kosovës të mos jenë më të regjistruar në Serbi, por në Shqipëri.

Po ashtu, duhet menduar të shtohet siguria energjetike duke shtuar kapacitetet prodhuese të përbashkëta. Kështu, për shembull, Republika e Shqipërisë ka një projekt të rëndësishëm energjetik që qëndron në sirtarë prej kohësh dhe që është hidrocentrali i Skavicës, në Drinin e Zi. Fatkeqësisht, ky hidrocentral nuk mund të jepet me koncesion pasi diga e Skavicës do ta diktonte regjimin e furnizimit me ujë të hidrocentraleve të tjerë të Drinit. Kjo gjë do të thotë që Skavica mund të ndërtohej me koncesion privat vetëm nëse bashkë me të jepen edhe hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës në përdorim gjë që është e vështirë për t’u realizuar.

Pikërisht ky hidrocentral mund të ndërtohet me fonde publike të përbashkëta në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në mënyrë që Kosova të ketë edhe një burim alternativ të energjetikë përtej termocentralit.
Nga ana tjetër, Republika e Shqipërisë varet tërësisht nga niveli i reshjeve dhe prurjeve të lumenjve për sa i përket rrymës elektrike dhe mund të ketë leverdi që të ndërtojë një termocentral në Kukës që shfrytëzon qymyrin e bollshëm të Kosovës i cili mund të transportohet aty nëpërmjet një linje të re hekurudhore. Ajo që e favorizon këtë projekt potencial është edhe prania e biomasës që mund ta absorbojë ndotjen, prania masive e ujit që lehtëson procesin e TEC-it si dhe infrastruktura e pranishme e përcjelljes së rrymës.

Në kuadër të forcimit të lidhjes dhe integrimit të ekonomisë në mes të Shqipërisë dhe Kosovës ne mund të thellojmë bashkëpunimin edhe në sektorin e minierave ku të dyja shtetet janë me nëntokë veçanërisht të pasur. Mund të mendojmë për të ofruar koncesione të përbashkëta minerare si paketë ndër-shtetërore për t’i tërhequr kompanitë më të fuqishme botërore. Besoj se po të harmonizohen procedurat dhe kushtet dhe të akordohemi për oferta të përbashkëta koncesionare, mund të joshen më lehtë investitorë seriozë ndërkombëtarë, pasi oferta do të ishte më e pasur kur bëhet fjalë për burimet e dy shteteve.

Një tjetër sektor me potencial të madh zhvillimor në të dy shtetet është turizmi. Pas dështimit të projektit të Brezovicës mund të mendohet seriozisht mes Tiranës dhe Prishtinës për të ndërtuar një projekt të përbashkët ndërkufitar të turizmit malor. Kjo gjë tashmë bëhet në Evropë sikurse janë modelet e resorëve të skijimit Les Portes du Soleil mes Francës dhe Zvicrës, Silvretta mes Zvicrës dhe Austrisë, Matterhorn Ski Paradise mes Zvicrës dhe Italisë, Kanin-Bovec-Sella Nevea mes Italisë dhe Sllovenisë apo Oberstdorf-Kleinwalsertal mes Gjermanisë dhe Austrisë. Prandaj nuk do të ishte ide e keqe që me fonde të përbashkëta të komisionohej ndonjë studim fizibiliteti për resorë malorë në Bjeshkët e Nemuna. Besoj se potencial të veçantë për pista skijimi kanë malësitë e Dobërdolit, Sylbicës, Belegut, Kurvallës e Gjeravicës. E njëjta gjë mund të bëhet edhe me zonën malore mes Shishtavecit dhe Dragashit në bllokun malor të Sharrit.

Gjithashtu. ne nuk kemi përse të presim anëtarësimin e të dy shteteve në Bashkimin Evropian për ta realizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, pra për ta arritur integrimin e tregut të krahut të punës. Këtu qëndron pak më para Republika e Shqipërisë e cila nuk kërkon leje pune e leje qëndrimi për shtetasit e Kosovës gjë që duhet të reciprokohet nga Prishtina. Që tani ne mund të bëjmë të mundur qarkullimin e lirë të krahut të punës duke e nisur nga punësimet shtetërore të dy vendeve meqenëse shteti është punëdhënësi më i madh. Nuk na pengon që nëpër konkurse të vendoset në mënyrë eksplicite që të drejtën për të aplikuar në këto vende pune ta kenë edhe shtetasit e Kosovës apo anasjelltas.

Kur flitet për burime njerëzore edhe aty ka shumë hapësirë bashkëpunimi për të eksploruar. Niveli i bashkëpunimit duhet të shtrihet edhe në hapësirën universitare apo post-universitare. Në hapësirën Prizren-Prishtinë apo Bajram Curri-Gjakovë mund të mendohet seriozisht të ndërtohet një qendër e përbashkët akademike ndërkufitare e ndërshtetërore si, për shembull, është modeli i Universitetit të Viadrinës së ndërtuar në mes të Frankfurtit mbi Oder të Gjermanisë dhe Slubicës së Polonisë. Mund t’i bashkojmë burimet për të ndërtuar një shkollë të përbashkët biznesi, të teknologjisë së lartë, të arkeologjisë, restaurimit, muzikës apo etnografisë.

Po ashtu është e papranueshme që pas pothuaj dy dekada liri ende nuk ka programe të mirëfillta të mobilitetit studentor mes dy shteteve tona. Evropa është e tejmbushur me mundësi për të kaluar një pjesë të studimeve në një vend tjetër evropian duke marrë kreditë që njihen në universitetin e origjinës. Të dy shtetet mund të financojnë diçka të ngjashme me programet Erasmus, Socrates, Consortia, Lingua apo Tempus që janë në Evropë, për t’i qarkulluar studentët dhe profesorët shqiptarë që janë në shtete të ndryshme të banuara nga shqiptarët. Po ashtu, është e pakuptueshme përse Republika e Shqipërisë nuk e ka futur në programin e detyrueshëm të shkollimit parauniversitar një ekskursion të organizuar në Kosovë sikurse e bëjnë kosovarët në Shqipëri. Nuk mund të kuptohet siç duhet historia dhe identiteti i kombit shqiptar nga një nxënës shqiptar nëse nuk ka shkelur në Prizren tek Lidhja e Prizrenit apo në Prekaz tek zemra e UÇK-së.

Ide të tilla mund të gjenden edhe në sektorë të tjerë. Mjafton që të kërkohen me vullnet të mirë dhe këmbëngulje. Diplomacia po ecën relativisht mirë për sa iu përket konsullatave të përbashkëta apo qendrave të përbashkëta të kulturës, por gjithsesi edhe më shumë mund të bëhet. Forcimi i lidhjes dhe bashkëpunimit mes dy shteteve nuk duhet parë si kundërshtim ndaj procesit të integrimit evropian, por si pjesë e saj, pasi integrimi rajonal është parakusht i anëtarësimit në BE. Po ashtu, ky thellim i marrëdhënies nuk duhet parë si cenim i konsolidimit të shtetit të Kosovës por, përkundrazi, Republika e Shqipërisë mund t’i ofrojë disa lehtësira që i mungojnë Kosovës për sa kohë nuk është konsoliduar ende në pozicionin e saj ndërkombëtar. Kjo gjë bëhet veçanërisht e nevojshme si plan “B”, në kushtet kur anëtarësimi i Kosovës në disa organizata ndërkombëtare ndërshtetërore po vonohet më shumë sesa kemi menduar fillimisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),…