Challandes: Anglia është nga një planet tjetër, Kosova nuk shkon e dorëzuar

15 korrik 2019 | 17:11

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes në një bisedë për “Gazetën Express”, ndeshjen me Anglinë e ka konsideruar si mjaft të vështirë. Madje, “Tre Luanët” i sheh si një ekip nga një tjetër planet. Mirëpo, shprehet se futbolli është për t’u luajtur dhe se nuk i dihet kurrë

Pas fillimit pozitiv të kampanjës kualifikuese për “Euro 2020, përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje të vështira në muajin shtator. “Dardanët” do ta presin më 7 shtator Republikën Çeke në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa më 10 shtator do ta vizitojnë Anglinë në stadiumin e Southamptonit “St. Mary’s Stadium”.

Pa dyshim, ndeshja më e vështirë për Verdhekaltrit do të jetë ajo me “Tre Luanët”. Për këtë është i vetëdijshëm edhe trajneri Bernard Challandes, i cili në një bisedë me “Gazetën Express” i ka ngritur në qiell anglezët.

Megjithatë, ai thotë se Kosova nuk hyn në asnjë ndeshje e dorëzuar. “Anglia është nga një planet tjetër, por është futboll dhe nuk i dihet. Anglia është njëra prej skuadrave më të mira në botë dhe ne luajmë në udhëtim ndaj tyre. Ne nuk luajmë në të njëjtën ligë me ta. Por, është një ndeshje ngazëlluese ndaj njërit prej ekipeve më të mirë në botë, një ndeshje kualifikuese. Ka mundësi të tregojmë se çka mundemi dhe të përparojmë. Deri tash e kemi bërë lojën time, e kishim posedimin e topit”, ka thënë fillimisht Challandes.

“Me Anglinë është një tjetër muhabet. Do të luajmë kundër Kane, Dele Alli dhe kundër yjeve tjerë anglezë. Është një ndeshje e mrekullueshme për të gjithë lojtarët, por e përsëris se nuk është problem nëse mund të fitojmë apo jo. Në ndeshje si kjo mund ta shohim përparimin dhe zhvillimin tonë”, nënvizoi tutje trajneri zviceran. Kosova nuk di për humbje qe 14 ndeshje dhe “Dardanët” do të mundohen ta ruajnë pamposhtmërinë edhe në ndeshjet e shtatorit, më 7 kundër Republikës Çeke dhe më 10 shtator ndaj Anglisë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Brazilit, Dani Alves pritet që karrierën ta vazhdojë…