Cili është shpjegimi i historianit Hakif Bajrami për lulëkuqen me katër petale?

15 janar 2023 | 12:32

Profesori i njohur i historisë, Hakif Bajrami, i ka dhënë mbështetje kërkesës që lulëkuqja të njihet si simbol i gjenocidit në Kosovë.

Ai ka thënë se kjo iniciativë duhet të materializohet me ligj nga Kuvendi i Kosovës.

Në një intervistë dhënë për “Epokën e re”, me rastin e Ditës së Gjenocidit në Kosovë – 15 janar, Bajrami ka thënë se lulëkuqja është simbol i lirisë dhe i luftës së drejtë të UÇK-së.

“Në bazë të asaj që e kam parë në shkrime më ka pëlqyer shumë iniciativa e Bardhyl Mahmutit që lulëkuqja të jetë një simbol i gjenocidit ndaj shqiptarëve. Pas kësaj i kam shkruar Bardhylit, sepse kam korrespodencë më të, dhe ai e kishte botuar qëndrimin tim në mbështetje të lulëkuqes. Pavarësisht kësaj, mendoj se kjo qasje nuk është bash e lehtë, pra është shumë e komplikuar, sepse duhet të bëhet ligji mbi gjenocidin ndaj shqiptarëve. Lulëkuqja simbolizon gjakun, simbolizon një lloj shëndetësie popullore, simbolizon një ardhmëri të popullit me plot besim dhe dituri. Pavarësia e Kosovës është legjitimuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, prandaj lulëkuqja i mbyll të gjitha plagët. Lulëkuqja është një simbol shumë i fuqishëm edhe horizontal edhe vertikal. Edhe në lartësi ky simbol është tredimensional. Ky simbol nuk e akuzon askënd sepse është një lule e bukur e natyrës”, ka deklaruar Hakif Bajrami.

A besoni se iniciativa e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, që lulëkuqja me katër petale të njihet si simbol i gjenocidit në Kosovë, të hasë në rezistencën e faktorit ndërkombëtar?

Hakif Bajrami: Nuk besoj sepse lulëkuqja nuk e prek askënd. Bardhyl Mahmuti është një intelektual shumë i informuar, i cili e ka deklasuar Dick Martyn. Po ashtu, ai e ka edhe librin “Eskadronët e vdekjes” etj. Bardhyli jeton dhe vepron në vendin (Zvicër) ku vlon uji në akull. Është fakt se ne jemi më të informuar në disa probleme profesionale, mirëpo ai simbol (lulëkuqja) nuk akuzon askënd, përkundrazi fton që ne shqiptarët të mos sillemi ndaj të tjerëve qysh janë sjell serbët ndaj neve. Lulëkuqja me katër petale është simbol se liria e Kosovës është produkt i gjakut dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E tash këtu, një pjesë e partive politike janë duke hezituar.

Intervista e plotë ?

Intervistë me historianin Hakif Bajrami /Lulëkuqja të bëhet me ligj simbol i gjenocidit në Kosovë

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademi përkujtimore me rastin…