Çitaku fton qytetarët e komunave në balotazh të dalin të votojnë

14 nëntor 2021 | 14:44

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka ftuar qytetarët e komunave në balotazh të dalin të votojnë.

Në një konferencë për media, ajo ka deklaruar se sot është ditë vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të këtyre komunave.

“Më 17 tetor, disa prej komunave të vendit përmbyllën garën me sukses në raundin e parë dhe tashmë kanë kryetarët e zgjedhur me votë demokratike për katër vitet e ardhshme. Sot, qytetarët e komunave në balotazh e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre. Andaj, i ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin në mënyrë sa më masive ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të japin verdiktin e tyre se kush dëshirojnë që t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme”, ka thënë ajo.

Çitaku ka vlerësuar se qytetarët me votën e tyre do ta fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës duke vendosur për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre.

“Këto zgjedhje janë ekskluzivisht për qytetarët, për të pasur institucione lokale funksionale, të cilat duhet të punojnë për t’i përmbushur kërkesat dhe nevojat e tyre. Nga mijëra aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë të angazhuar në procesin zgjedhor të raundit të dytë në tërë territorin e vendit, vlerësohet se mbarëvajtja e deritashme e procesit zgjedhor po shkon mirë. Dhe shpresoj që në fund të ditës, demokracia të jetë fituesi dominant në këto zgjedhje”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka treguar…