Çitaku: LV-ja ka kundërshtuar çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se debati për gazin amerikan nuk duhet të shihet si një çështje teknike apo energjetike, por si një çështje e sigurisë kombëtare dhe e orientimit strategjik të Kosovës.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çitaku tha se Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë, duke theksuar se në botën e sotme siguria energjetike është pjesë e pandashme e sigurisë shtetërore.
Sipas saj, pavarësia energjetike është e lidhur ngushtë me aftësinë e shtetit për t’u përballur me krizat dhe për të garantuar mirëqenien e qytetarëve.
Ajo theksoi se projekti i gazit amerikan nuk ka të bëjë vetëm me energjinë, por edhe me sigurinë, ekonominë, diplomacinë dhe partneritetin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës. Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë. Në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që marrim sot do të përcaktojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve tanë, por edhe pozitën e Kosovës në hartën gjeopolitike të dekadave që vijnë. Në botën e sotme, e cila po ndryshon vazhdimisht, pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore. Luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tanke dhe armë. Ato zhvillohen me energji, me zinxhirë furnizimi, me kontroll mbi burimet strategjike dhe me aftësinë e një shteti për t’i mbrojtur qytetarët e vet nga krizat. Prandaj, kur flasim për gazin amerikan, ne nuk flasim vetëm për energji. Ne flasim për siguri. Për ekonomi. Për diplomaci. Për partneritet strategjik. Për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Çitaku kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar se për vite me radhë ka kundërshtuar projekte që, sipas saj, do t’i siguronin Kosovës më shumë pavarësi energjetike.
Ajo vlerësoi se pasojat e kësaj politike po reflektohen në rritjen e kostos së energjisë, shtimin e importeve dhe vështirësitë me të cilat po përballen familjet dhe bizneset. “Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike. Fillimisht si opozitë, e më pas si qeveri. E shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme. Sot po e shohim rezultatin e kësaj politike. Kosova po paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë. Importet e energjisë po rriten nga viti në vit. Bizneset po dëmtohen. Familjet po përballen me fatura gjithnjë e më të larta dhe gjithnjë e më të papërballueshme”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj, të gjitha vendet e rajonit po ndërtojnë lidhje të reja energjetike, po diversifikojnë furnizimin dhe po forcojnë sigurinë e tyre, ndërkaq, vetëm Kosova ka mbetur jashtë.
Në fund, ajo ka theksuar se partneriteti me SHBA-në nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklarativ, por të reflektohet përmes vendimeve dhe projekteve konkrete, duke shtuar se “koha e izolimit duhet të marrë fund” dhe se Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit. “Vetëm Kosova vazhdon të refuzojë një mundësi që aleati ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka mbështetur vazhdimisht. Partneriteti me SHBA-në nuk matet vetëm me deklarata. Ai matet me vendime konkrete. Me projekte konkrete. Koha e izolimit duhet të marrë fund. Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit, jo spektatore e tyre”, ka thënë Çitaku.



