Komiteti Olimpik Ndërkombëtar sjell grant historik: Çdo olimpist mund të përfitojë 10 mijë dollarë
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka njoftuar krijimin e grantit të ri “Fit for the Future Olympian Grant”.
Sipas një njoftimi të Komitetit Olimpik të Kosovës, përmes këtij granti çdo olimpist do të ketë të drejtë të përfitojë 10 mijë dollarë amerikanë, duke filluar nga Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026.
“Për herë të parë në histori, të gjithë sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike do të kenë mundësinë të marrin mbështetje financiare për zhvillimin e karrierës së tyre sportive ose për tranzicionin drejt karrierës pas sportit”, është thënë në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
IOC-ja ka ndarë një fond prej 140 milionë dollarësh për çdo cikël olimpik, nga i cili pritet të përfitojnë rreth 14 mijë olimpistë.
“Ky nuk është shpërblim për medalje. Është njohje për rrugëtimin, përkushtimin dhe sakrificat që duhen për t’u bërë olimpist”, ka deklaruar kryetari i Komisionit të Atletëve të IOC-së, Pau Gasol.



