Çitaku për raportin e DASh-it dhe ‘Freedom House”: Të shërbejnë si alarm zgjimi për qeverinë Kurti
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas publikimit të raportit të “Freedom House” për Kosovën.
Çitaku në “Facebook” ka shkruar se ky raport dhe ai i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh)paraqesin pamje të zymtë për Kosovën.
“Gjetjet e këtyre dy raporteve paraqesin një pamje të zymtë të shtetit tonë – që reflekton keq dhe dëmton imazhin e Kosovës në botë”, ka shkruar Çitaku.
Postimi i plotë i Çitakut:
Dy raporte të rëndësishme ndërkombëtare për Kosovën brenda dy ditëve. Të dyjat, mes problemeve tjera të shumta, godasin korrupsionin serioz qeveritar në Kosovë. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit i publikuar dje, dhe ai i “Freedom House” i publikuar sot – janë tejet shqetësues dhe duhet të shërbejnë si alarm zgjimi për Qeverinë.
Mos të harrojmë – kemi hyrë në vitin e katërt të qeverisjes Kurti. Dhe, përmes vlerësimit ndërkombëtar, jo atij të brendshëm opozitar, rezultati është korrupsioni, ndërhyrja në drejtësi dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Kaq për shpresën e premtuar!
Këto raporte, para të cilave nuk guxojmë të mbyllim sytë, kërkojnë veprime të menjëhershme dhe jo fjalë e justifikime – pasi ato godasin vetë thelbin e vlerave dhe parimeve tona demokratike.
Gjetjet e këtyre dy raporteve paraqesin një pamje të zymtë të shtetit tonë – që reflekton keq dhe dëmton imazhin e Kosovës në botë.
Një gjyqësor që i mungon pavarësia, kufizime të rënda në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, korrupsionin e shfrenuar qeveritar, dhuna e përhapur me bazë gjinore – nuk janë pamja ideale e një shteti që synon integrimin euro-atlantik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Qeveria duhet të kuptojë se këto nuk janë thjesht statistika apo probleme abstrakte; janë padrejtësi të jetës reale me të cilat përballen çdo ditë qytetarët tanë dhe bota po i sheh ato. Duke dënuar fuqishëm këto padrejtësi, PDK-ja kërkon nga qeveria adresimin e menjëhershëm të këtyre probleme.
Krahas qeverisë, ftojmë edhe organet e drejtësisë që të kryejnë me përgjegjësi dhe seriozitetin më të lartë detyrat e tyre – duke mos lënë ardhmërinë e shtetit tonë peng të një paaftësie të thellë politike.
Kjo është një betejë që duhet luftuar çdo ditë, nga të gjithë akterët që kanë pushtet ekzekutiv në vend. PDK-ja, përmes të gjitha mekanizmave të saj, do të angazhohet që të shtyjë përpara reformat e nevojshme në ndërtimin e një Kosove ku çdo individ trajtohet me dinjitet dhe respekt.