Çka është puna e fabrikës për mbetje shtazore?

30 maj 2025 | 12:34

Ministri në detyrë i Bujqësisë në Kosovë është vënë në qendër të hetimeve mbi dyshimet se janë bërë shkelje rreth vënies në funksion të një fabrike për përpunimin e mbetjeve shtazore. Për çfarë, saktësisht, bëhet fjalë?

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Bekim Hoxha, këtë javë u morën në pyetje nga prokurorët, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në një rast që ka të bëjë me funksionalizimin e një fabrike për trajtimin e mbetjeve shtazore, shkruan Radio Evropa e Lirë

Nga Prokuroria Speciale e Kosovës – me kërkesë të së cilës u bënë bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (ABZH), në AUV dhe në zyrën e një kompanie private – thanë të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se hetimet po vazhdojnë.
Në Parkun Industrial, në Drenas, në dhjetor të vitit 2019 kishte përfunduar ndërtimi i fabrikës që parashihej të përpunonte dhe të asgjësonte nënproduktet shtazore.

Ky projekt, në vlerë të 7.7 milionë eurove, ishte realizuar nga AUV-ja, me bashkëfinancimin e Komisionit Evropian (KE).
Por, funksionalizimi i fabrikës nisi tek në vitin 2024, kur edhe u hap thirrja për kompanitë që të aplikonin për ta marrë në shfrytëzim fabrikën, dhe për të nisur punën në grumbullimin dhe kategorizimin e nënprodukteve shtazore.

U raportua se kompania kosovare LIP KS & IT SH.P.K. u përzgjodh për ta funksionalizuar fabrikën, me afat operimi për 20 vjet – deri në vitin 2044.

U tha se kjo kompani ishte regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) vetëm 5 ditë pas thirrjes për aplikim.
Kësisoj dyshohet se nuk u përmbushën kriteret që fituesi i kontratës të kishte përvojë 12 deri në 15-vjeçare në përpunimin e nënprodukteve shtazore, dhe të dëshmonte se në tre vjetët e fundit kishte përpunuar 20 mijë tonë të nënprodukteve shtazore.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala, tha më 27 maj se “hetimi është duke u zhvilluar në lidhje me dyshimet për dhënien me qira të kësaj fabrike”.

Një ditë më herët, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) denoncoi Ministrinë e Bujqësisë për dhënien me qira të fabrikës pa ankand publik.

Kjo parti tha se kompania fituese do të paguajë qira “vetëm 30 mijë euro në vit, për një periudhë 20-vjeçare, ndërkohë që përfiton subvencione mbi 3.2 milionë euro në vit”. U raportua se aksionarë të kompanisë fituese janë një kosovar, si drejtor menaxhues i saj, dhe dy kompani të tjera, njëra me adresë në Mal të Zi e tjetra në Itali.

Kompania me adresë në Podgoricë thuhet të jetë në pronësi të një kompanie tjetër, me seli në Serbi.

Çfarë deklaroi ministri që po dyshohet për rastin?

Faton Peci nuk sqaroi se pse po hetohet nga Prokuroria, ndonëse tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë. “Është në interes të zbardhet çdo detaj për pretendimet që i ka drejtësia. Jam i hapur dhe bashkëpunues për krejt veprimet dhe për aq sa më ka takuar mua si ministër”, u shpreh ai para gazetarëve, më 29 maj. Në deklarimet e mëparshme, Peci kishte thënë se vetëm kishte nënshkruar kontratën, siç i takonte në fund të procesit, por se nuk kishte marrë pjesë në asnjë fazë paraprake, dhe kishte mohuar se kishte njohuri për pronësinë e kompanisë fituese.

Duke akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Pecit i doli në mbrojtje bashkëudhëheqësja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla Schwarz. “Inskenim i gërditshëm ky aksioni i sotëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati”, shkroi ajo në Facebook.

Atë e mbrojti edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë. “Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të ministrit Peci”, u shpreh Albulena Haxhiu për mediat, teksa shtoi se ministri në detyrë i Bujqësisë është i hapur të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë për ta zbardhur “planin kundër tij”.

Cili ishte qëllimi i kësaj fabrike?

Fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore ishte projekt i KE-së, në kuadër të mbrojtjes së mjedisit, me qëllimin që kafshët e ngordhura dhe mbetje të tjera të mos hidheshin nëpër kontejnerë, bashkë me mbeturinat e tjera.
Vite më parë, nga Zyra e Bashkimit Evropian kishin sqaruar se çka parashihej të bëhej me mbetjet e kafshëve në këtë fabrikë: yndyra do të ndahej prej eshtrave dhe pjesëve të tjera, të cilat nuk janë të përdorshme, dhe do të përdorej kryesisht në industrinë e energjetikës, si burim energjie.

Parashihej që në fazat e ardhshme të përpunimit ky produkt të përdorej edhe në industrinë kozmetike dhe në industrinë e ushqimit të kafshëve. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot së bashku…