‘Çmendet’ moti, stuhia dimërore godet Europën Veriore, raportohen të paktën katër persona të vdekur

30 janar 2022 | 18:34

Një stuhi e fuqishme dimërore ka përfshirë Europën Veriore gjatë fundjavës, duke vrarë të paktën katër persona, duke shkatërruar shtëpi dhe makina, duke mbyllur ura, duke shkaktuar përmbytje dhe duke ndaluar transportin, duke lënë mijëra familje pa energji elektrike.

Ditën e sotme, stuhia Malik arriti në rajonin nordik, duke shkaktuar erëra të forta dhe reshje të shumta shiu e bore në Danimarkë, Finlandë, Norvegji dhe Suedi.

Malik arriti në rajonin nordik dhe në Gjermaninë Veriore në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës pasi u zhvendos nga Britania e Madhe, ku shkaktoi shumë dëme materiale dhe kaos transporti, duke goditur veçanërisht Skocinë.

Në Skoci, një djalë dhe një grua 60-vjeçare u vranë të shtunën nga rrëzimi i pemëve ndërsa erërat e forta goditën pjesët veriore të Britanisë.

Stuhi ere me më shumë se 160 km/h janë raportuar në disa vende të Skocisë, duke shkaktuar ndërprerje të transportit dhe të energjisë elektrike në dhjetëra mijëra shtëpi.

Në Danimarkë, erërat e fuqishme me shi të dendur shkaktuan mbylljen e përkohshme të disa urave të shtunën, duke përfshirë urën hekurudhore që lidh Kopenhagen dhe qytetin suedez të Malmos. Mediat daneze raportuan se një grua 78-vjeçare vdiq pasi u rrëzua nga erërat e forta.

Në Gjermani mediat lokale raportuan se një burrë u vra të shtunën pasi u godit nga një billboard që ra prej stuhisë.

Pjesa jugore e Suedisë u godit rëndë dhe mijëra familje mbetën pa energji elektrike deri të dielën pasdite. Tragetet për në ishullin Gotland të Detit Baltik u anuluan për shkak të erërave të forta.

Dëme të rënda në shtëpi, makina dhe varka u raportuan në Norvegji, ndërsa reshjet e dendura të borës në të gjithë Finlandën ndërprenë trafikun e autobusëve dhe trenave në disa pjesë të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ftohtë dhe me reshje bore në ditët e para të…