COP31 në moment kritik, debati për lëndët fosile po ashpërsohet
Që një konferencë botërore për klimën të përfundojë në afatin e parashikuar, ndodh praktikisht shumë rrallë. Edhe COP31 në Antalia tashmë ka hyrë në më shumë se 24 orë shtesë negociatash. A po rrezikohen objektivat?
Orë të tëra pritjeje, frustrim në rritje dhe ministra që po largohen nga konferenca: përpjekjet për të arritur një marrëveshje të pranueshme në Konferencën e OKB-së për Klimën në Antalia po rezultojnë jashtëzakonisht të vështira. Edhe pas një zgjatjeje prej më shumë se 24 orësh, pasditen e së shtunës delegacionet vazhdonin të negocionin për tekstin përfundimtar të vendimeve.
Për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lëndët djegëse fosile, që konsiderohen shkaktari kryesor i ngrohjes globale, komisari i BE-së për klimën, Wopke Hoekstra, nuk e përjashtoi më mundësinë e dështimit të COP31. “Po përpiqemi të arrijmë atë që është e domosdoshme për mbrojtjen e klimës”, tha Hoekstra për agjencinë franceze të lajmeve AFP. “Dhe nëse kjo nuk është e mundur, atëherë nuk do të ketë marrëveshje.” Komisioneri evropian nuk pranoi të komentonte se sa të mëdha janë gjasat për një marrëveshje ose për dështimin e konferencës. Megjithatë, ai theksoi se Bashkimi Evropian “nuk do të heqë dorë lehtë”.
Disa ministra u larguan të zhgënjyer
Në konferencën e klimës, gati 200 shtetet pjesëmarrëse duhet t’i miratojnë vendimet me konsensus. Siç ndodh zakonisht në konferencat COP, nuk u arrit një përfundim brenda afatit të parashikuar të premten në mbrëmje. Megjithatë, fakti që presidenca turke e COP-it dhe drejtuesit australianë të negociatave nuk kishin paraqitur ende një draft të dakordësuar të tekstit përfundimtar deri të shtunën pasdite, shkaktoi zhgënjim dhe frustrim te shumë delegacione.
Disa anëtarë të delegacioneve, mes tyre ministrja franceze e Mjedisit dhe Klimës si edhe homologja e saj nga Holanda, nisën udhëtimin e kthimit drejt vendeve të tyre, duke ua lënë stafit të tyre detyrën për t’i çuar negociatat deri në përfundim. Ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider, kishte deklaruar më herët se ai kishte “kohë deri të dielën”. I pyetur nëse deklarata përfundimtare do të përfshijë një angazhim për t’u larguar gradualisht nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile, Schneider u përgjigj: “Shpresoj. Nuk e di. Do të shohim.”
Rikthim pas standardeve të vitit 2023?
“COP31 ka hyrë në fazën vendimtare”, tha eksperti i klimës i Oxfam-it, Jan Kowalzig. “Pas dyerve të mbyllura, Turqia dhe Australia po përpiqen tani, përmes diplomacisë ndërmjetëse, të afrojnë qëndrimet e grupeve kryesore të vendeve dhe të hartojnë vendimin kryesor të konferencës.”
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të tregojë më shumë fleksibilitet në çështjen e ndihmës klimatike për vendet e Jugut Global, në mënyrë që të krijojë një aleancë më të gjerë mes grupeve të ndryshme të shteteve. “Kjo do të ndihmonte në izolimin e vendeve që po bllokojnë marrëveshjen për heqjen dorë nga lëndët djegëse fosile, deri në pikën kur ato të detyrohen të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre”, tha Kowalzig.
BE-ja dhe disa vende të tjera kritikuan ashpër faktin që në draftin e rishikuar të vendimit, të publikuar të enjten pasdite, nuk përfshihej më angazhimi për një largim global nga lëndët djegëse fosile.
Sipas tyre, kjo do të përbënte një hap prapa krahasuar me vitin 2023, kur në COP28 në Dubai u arrit për herë të parë një angazhim i qartë për t’u larguar gradualisht nga qymyri, nafta dhe gazi. /DW



