Costa përpiqet ta qetësojë Merzin pas ultimatumit për buxhetin e BE-së dhe ndihmën për Ukrainën

11 nëntor 2026 | 08:54

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, është përpjekur ta qetësojë kancelarin gjerman, Friedrich Merz, pas letrës së këtij të fundit, në të cilën kushtëzoi miratimin e buxhetit të ardhshëm të Bashkimit Evropian me sigurimin e financimit për Ukrainën nga të gjitha shtetet anëtare.

Në një letër të siguruar nga Euronews, Costa bëri të ditur se diskutimi për të dyja çështjet do të zhvillohet në fund të muajit, gjatë një samiti të posaçëm në Bruksel, pasi Komisioni Evropian të paraqesë propozimet për mbulimin e mungesës së mjeteve financiare të Ukrainës.

Megjithatë, Merz kishte kërkuar që kjo çështje të diskutohej që në samitin joformal të kësaj jave në Dublin, transmeton Telegrafi.

“Në dritën e zhvillimeve të vazhdueshme, do të krijoj hapësirë për një diskutim të gjerë mbi Ukrainën në Këshillin Evropian joformal të ardhshëm në Dublin”, shkroi Costa, duke lënë të hapur mundësinë që Merz ta ngrejë këtë çështje me liderët e tjerë evropianë.

Bashkimi Evropian është zotuar të mbulojë dy të tretat e mungesës financiare prej 70 miliardë eurosh të Ukrainës, apo rreth 45 miliardë euro. Ende nuk është përcaktuar mekanizmi përmes të cilit do të sigurohen këto mjete.

Duke pasur parasysh përmasat e mëdha të nevojave financiare, mundësia e një raundi të ri të borxhit të përbashkët evropian po shihet si opsioni kryesor.

Në letrën drejtuar Costas, Merz theksoi se zotimi për ndihmë të re financiare për Ukrainën është “parakusht thelbësor” për miratimin e buxhetit të ardhshëm të BE-së.

Kjo qasje lidh dy çështje të ndjeshme, për të cilat kërkohet unanimiteti i të gjitha shteteve anëtare.

“Mbështetja për Ukrainën është çështje e sigurisë sonë të përbashkët evropiane, prandaj edhe ndarja e barrës për këtë mbështetje duhet të jetë e përbashkët”, shkroi Merz.

Megjithatë, qëndrimi i kancelarit gjerman është kundërshtuar tashmë nga Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria. Kryeministri sllovak, Robert Fico, e ka cilësuar ultimatumin e Merzit si “shantazh”.

Këto katër vende kërkojnë të përjashtohen nga çdo kredi e ardhshme që Bashkimi Evropian mund të marrë për t’i siguruar financim Ukrainës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka rrëfyer një pjesë të…