Courtois paralajmëron pensionimin nga kombëtarja pas Botërorit
Portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois, po mendon t’i japë fund karrierës së tij me kombëtaren pas Kampionatit Botëror, deklaroi ai të enjten, teksa Belgjika po përgatitet për ndeshjen e parë të Grupit G kundër Egjiptit në Seattle.
34-vjeçari, i cili debutoi me kombëtaren belge në vitin 2011 dhe numëron 109 paraqitje, la të kuptohet se pas turneut në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara mund të jetë koha për t’ia lënë vendin brezit të ri.
“Nuk e di nëse duhet të flasim për të ardhmen tani, por gjasat janë më të mëdha që të mos vazhdoj pas këtij turneu sesa të vazhdoj”, u tha ai gazetarëve në bazën e kombëtares belge.
“Dua ende të luaj edhe disa vite. Dhe më pas duhet të kujdesesh për trupin tënd. Familja ime është këtu sepse ky mund të jetë turneu im i fundit”, tha ai.
Megjithatë, portieri i Real Madrid la të hapur mundësinë që të vazhdojë me Belgjikën.
“Nëse bëjmë një Botëror të mirë, sigurisht. Dhe nëse vazhdojmë ta ndiejmë atmosferën e mirë brenda grupit. Pas turneut do të më duhet të zhvilloj një bisedë me trajnerin, drejtorin teknik Vincent Mannaert dhe mjekët”, tha ai
Courtois tregoi se gjatë periudhës kur kombëtarja drejtohej nga Domenico Tedesco, atij iu lejua të mungonte në disa grumbullime ndërkombëtare, gjë që ndikoi në mënyrën si e sheh të ardhmen.
“Vura re se gjatë atyre pauzave ndërkombëtare mund të pushosh dhe të punosh i qetë në palestër.
Për më tepër, gjatë një viti e gjysmë të fundit kam pasur më shumë probleme fizike dhe dëmtime të vogla, kështu që natyrshëm fillon të mendosh më shumë për të ardhmen. Po mendoj t’ia kaloj stafetën brezit të ri. Ka shumë talent që po vjen, si Senne Lammens dhe Mike Penders”, tha Courtois.
Sa i përket ndeshjes hapëse ndaj Egjiptit, Courtois u shpreh i gatshëm dhe shumë i motivuar.
“Po, jam shumë i etur për të luajtur, ashtu si edhe pjesa tjetër e grupit. Ndihem shumë mirë dhe mezi po e pres. Kam punuar shumë për rikthimin tim gjatë pranverës. Dëmtimi në kuadriceps ishte i pafat, sepse në atë moment ndihesha pothuajse i pathyeshëm. Por tani jam gati të ruaj nivelin tim dhe të qëndroj i fokusuar”, tha Courtois.
Belgjika do të përballet gjithashtu me Iranin dhe Zelandën e Re në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror.



