Robin Krasniqi acarohet pas humbjes së Nelson Hysës: Kurrë nuk jam ndier më i fyer se mbrëmë
Boksieri, Robin Krasniqi, ka reaguar ashpër pas meçit të mbrëmshëm mes Hysës dhe Agit Kabayelit, duke shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si përfundoi përballja.
Krasniqi ka kritikuar atë që e quan dukuri shqetësuese në boksin shqiptar, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si ndërtohen disa karriera në boksin profesionist dhe për cilësinë e kundërshtarëve me të cilët përballen boksierët.
Ai ka thënë se humbjet janë pjesë e sportit dhe se një boksier mund të mposhtet edhe nga një kundërshtar dukshëm më i fortë, por mënyra se si, sipas tij, Hysa u dorëzua në ring ishte e papranueshme.
“Kurrë nuk jam ndier më i fyer se mbrëmë!”, ka shkruar Krasniqi në fillim të reagimit të tij.
Tutje, ai ka theksuar se ndien turp si sportist për atë që pa në ring, duke përmendur edhe përgjegjësinë që boksierët kanë ndaj tifozëve shqiptarë, veçanërisht në një datë simbolike si 28 Nëntori.
Në fund, boksieri shqiptar u ka bërë thirrje të rinjve që t’i qasen boksit me seriozitet, përkushtim dhe shpirt luftarak, duke mos ndërtuar karriera që nuk bazohen në përballje të mirëfillta sportive.



