Heroi i Alavesit flet pas fitores ndaj Realit: Do t’u tregoj fëmijëve të mi për këtë natë

29 nëntor 2026 | 14:30

Angel Perez e ka përshkruar fitoren 2-1 të Alavesit ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu” si një mbrëmje që do ta kujtojë gjatë gjithë jetës, pasi shënoi golin e dytë dhe vendimtar të mysafirëve në fitoren historike në La Liga të shtunën.

Mbrojtësi i krahut të djathtë shënoi në minutën e 61-të, pasi pranoi një pasim nga ish-sulmuesi i Real Madridit, Mariano Diaz, përpara se ta driblonte Thibaut Courtois.

Duke folur pas ndeshjes, Perez mezi ka arritur t’i përmbajë emocionet dhe ia ka atribuuar këtë sukses angazhimit kolektiv të skuadrës së Quique Sanchez Floresit.

“Sonte është një nga ato mbrëmje për të cilat do t’u tregoj fëmijëve të mi, në dashtë Zoti. Nuk po gjej fjalë. Po dridhem. Kjo është e paçmueshme. Kemi bërë histori me Glorioson. E kemi merituar”, ka deklaruar fillimisht ai.

Ai ka shtuar se rezultatet e fundit të skuadrës nuk e kishin pasqyruar punën që po bënin futbollistët, duke e bërë edhe më të rëndësishme fitoren ndaj Real Madridit.

“Ecuria që kishim nuk i bënte drejtësi punës që po bënte skuadra dhe sot e dëshmuam këtë”, ka shtuar ai.

I pyetur për kontributin e tij personal, Perez ka vlerësuar punën e futbollistëve që e nisën ndeshjen nga minuta e parë, por edhe të atyre që u aktivizuan nga banka rezervë.

Alavesit iu desh t’i përballonte presionit pasi Kylian Mbappe e ngushtoi epërsinë e vendasve në minutën e 69-të.

“E gjithë skuadra shkëlqeu. Po të mos ishte për 11 futbollistët që e nisën sot ndeshjen, si dhe për të gjithë ata që ishin në bankën rezervë, nuk do t’ia kishim dalë”, ka theksuar ai.

Perez ka folur edhe për mënyrën se si reaguan futbollistët e Alavesit ndaj polemikave të minutave të fundit, që përfshinë penalltinë e akorduar fillimisht për Real Madridin dhe Jude Bellinghamin.

Gjyqtari fillimisht akordoi penallti për Real Madridin, por e anuloi vendimin pas rishikimit të pamjeve në VAR, ndërsa më pas e përjashtoi Bellinghamin me kartonin e dytë të verdhë.

“Në fund kemi një ekran ku mund ta shohim shpejt situatën dhe kërkuam ta shihnim, sepse kështu duhet të bëjmë”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Jetëgjatësia mesatare arrin në 86.3 vjet për gratë dhe 82.7…