Covid-19 shënjestron sportistët

16 tetor 2020 | 17:36

Numrit të lartë të të prekurve nga Covid-19 në Francë nuk i kanë shpëtuar as futbollistët. Klubi më i goditur është ai që militon në Ligue 1, Montpellier. Skuadra e elitës së futbollit francez konfirmoi 12 persona pozitivë në radhës e saj, prej të cilëve 8 prej tyre lojtarë dhe katër anëtarë të stafit.

Sipas protokollit, pjesëtarët janë izoluar, ku do të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë. Ky numër i shtuar i rasteve vë në rrezik sfidën e fundjavës përballë Monakos, gjithsesi, ende nuk ka një reagim zyrtar.

Virusit nuk i ka shpëtuar as kampioni absolut i MotoGP, Valentino Rossi. Italiani ka rezultuar pozitiv në testet e koronavirus dhe për këtë humb rastin për të garuar në garën e fundjavës, atë të Aragonit në Spanjë.

Pozitivitetin me virusin e ri e ka konfirmuar edhe kampionia olimpike, italiania Federica Pellegrini. Mes lotësh, notarja mbajtëse e rekordit botëror pranoi se tashmë është mbyllur në shtëpi pasi mbart Covid-19.

“Sapo kam marrë lajmin e keq. Këtë pasdite pata një shtupë dhe rezultati është pozitiv. Unë jam pozitiv me Covid. Më vjen shumë keq. Mezi prisja të rifilloja një sezon normal. Nuk di të qesh apo të qaj. Në të vërtetë unë kam qarë deri tani”, tha ajo.

Infektimi i sportistëve ka shkaktuar shumë komplikacione në zhvillimin normal të aktiviteteve. Në Gjermani do të bjerë ndjeshëm numri i tifozëve në stadium, ndërkohë që ende nuk ka njoftim zyrtar për anulimin apo shtyrjen e sfidave në 5 ligat kryesore./tvklan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
17.10.2020 Punime të domosdoshme për sigurinë e  sistemit Prishtina 1.…