Cramoni: Edhe Kosova edhe Serbia janë fajtore për mungesë progresi në dialog

31 mars 2023 | 10:57

Të dyja palët janë fajtore për faktin se progresi në negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i ngadalshëm, ka thënë në Bruksel raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel.

Në vitin 2013, nën drejtimin e BE-së, Kosova dhe Serbia kanë arritur atë që tashmë njihet si Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve dhe të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të saj, raporton agjencia kroate e lajmeve “Hina”.

Javët e fundit negociatat janë intensifikuar, kështu që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq janë takuar dy herë, në fund të shkurtit në Bruksel dhe në mes të marsit në Ohër, ku me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, ata ende nuk kanë nënshkruar asgjë.

Kushti kryesor i Vuçiqit është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013.

Viola von Cramon, përfaqësuese e të Gjelbërve, i konsideron të dyja palët njëlloj fajtore për vonesën e negociatave dhe nënshkrimit të marrëveshjes.

“E di që është më e lehtë të fajësohet (presidenti serb Aleksandër) Vuçiq, por ai e kupton që e ardhmja e Serbisë nuk do të jetë në Rusi apo Pekin. Populli i tij nuk do të studiojë apo blejë në Moskë. Shumica e të rinjve në Serbi e shohin të ardhmen e tyre në pjesën perëndimore të Evropës”.

“Por Prishtina nuk i lehtëson gjërat dhe nuk ndihmuan aspak duke u thënë të gjithëve para takimit në Ohër se nuk do të pajtoheshin me asgjë të ngjashme me Asociacionin. Unë mendoj se faji është, për fat të keq, i ndërsjellë”, u ka thënë Cramoni, gazetarëve në Bruksel, transmeton “Klan Kosova”.

Serbia e kritikon Kosovën për moslejimin e formimit të asociacionit, të cilin Kosova, nga ana tjetër, e krahason me Republikën Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke aluduar për paqëndrueshmërinë e kontribuar nga autoritetet e këtij entiteti me shumicë serbe.

Duhet një kompromis nga të dyja palët

Josep Borrell, kishte thënë pas takimit të Ohrit se ishte arritur një marrëveshje për asociacionin. “Kosova është pajtuar të fillojë menjëherë – dhe kur them menjëherë, e kam fjalën menjëherë – negociatat me Bashkimin Evropian që do të lehtësonin një dialog për krijimin e një marrëveshjeje specifike dhe garanci për të siguruar një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetet serbe në Kosovë”, ka thënë Borrelli.

Pas takimit në Ohër, Vuçiqi ka konfirmuar se është arritur njëfarë marrëveshjeje, por ka thënë se nuk ka nënshkruar asgjë. “Sot është dashur të pajtohemi për një plan implementues, kemi arritur një lloj marrëveshjeje, jam i kënaqur me këtë”, tha Vuçiqi.

Do të ishte shumë më e lehtë nëse Kosova do të përgatiste në mënyrë proaktive nënshkrimin e zbatimit, ka theksuar Cramoni.

Ajo ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndoshta do të ofrojë ndonjë propozim për zbatimin e Asociacionit, por pyetja është se sa serioz do të jetë propozimi dhe nëse do të përfshijë mendimin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i vendit.

“Kjo nuk do të thotë se me shumë gjasa do të shohim një zgjidhje për të gjithë dialogun së shpejti”, ka thënë ajo.

Pala kosovare duhet të kuptojë se një kompromis është në interes të popullit të tyre dhe se është i nevojshëm për të ardhmen e gjeneratës së ardhshme, ka thënë eurodeputetja Cramon.

“Nëse nuk gjejmë një kompromis nga të dyja palët, nuk do të shohim përparim të rëndësishëm në integrimin evropian apo stabilizimin e rajonit. Për mua nuk ka dyshim, ne duhet ta mbrojmë pavarësinë dhe integritetin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë që të respektohet ajo që u nënshkrua në Bruksel në vitin 2013”, ka përfunduar raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luizi nuk do ndalet derisa të nxjerrë jashtë Dean, sepse…