Crvena Zvezda reagon pasi iu ndalua hyrja në Kosovë

09 tetor 14:58

Crvena Zvezda e ka bërë një reagim zyrtar pasi nuk u lejua të futej në territorin e Republikës së Kosovës për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë ndaj Trepçës serbe. Klubi nga Beogradi konsideron se iu bë e padrejtë nga autoritetet kosovare.

“Ne erdhëm për të luajtur futboll, të luajmë futboll dhe të bëjmë sport, por kjo na u mohua. Përkundër faktit se e kishim rekomandimin nga FIFA për ta zhvilluar ndeshjen ndaj Trepçës në Mitrovicë, institucionet e Kosovës e injoruan këtë këshillë. Kur iu afruam pikës kufitare për të kaluar andej, Policia e Kosovës arriti dhe na tha se e kishim të ndalur të futeshim në territorin e Kosovës. Kur i pyetëm përse, ata na thanë se ishte një vendim i Qeverisë së Kosovës dhe se nuk kishin shpjegime të tjera për të na dhënë. Ne jemi sportistë, dëshironim të luanim futboll dhe t’i zbavitnim njerëzit tanë në provincën jugore të Serbisë. Sidoqoftë, ne ishim të përgatitur se mund të na ndodhte kjo. Më vjen keq që njerëzit janë privuar nga një eveniment sportiv. Ka mundësi që ndeshja të zhvillohet nesër, do ta shohim se ku dhe kur ekzaktësisht”, ka njoftuar klubi serb.

“Institucionet e Kosovës e demonstruan edhe një herë se çka do që bëjnë ata është farse dhe gënjeshtër dhe se thirrja e tyre për ta ndarë sportin nga politika, në bazë të së cilës janë pranuar në UEFA e FIFA, është asgjë tjetër pos një gënjeshtër. Ne kemi marrë informata të ndryshme, por detyrë e jona ishte të vinim dhe të provonim të hynim në Kosovë për të luajtur futboll. Ne e kemi marrë një letër nga FIFA, e cila e ka rekomanduar Federatën e Futbollit të Kosovës që ndeshja të zhvillohet në Mitrovicë. Ne nuk kërkuam diçka ndryshe se si zakonisht, sepse Trepça i zhvillon ndeshjet e saj në Mitrovicë dhe se nuk ka arsye se përse sot kjo ndeshje të mos zhvillohej aty. Ne e kemi marrë mbështetjen nga FIFA dhe krejt çka kemi lexuar në mediat kosovare ditëve të fundit ka qenë gënjeshtër. Ata thoshin se ne do të shkonim atje kundër rregullave të UEFA-s e FIFA-s, por kjo nuk është e vërtetë. Ne e publikuam dokumentin të cilin e kemi pranuar nga organizata më e madhe botërore e futbollit”, ka shtuar klubi nga Beogradi.

“Menaxheri i përgjithshëm i klubit tonë i ka lavdëruar tifozët, të cilët erdhën në numër të madh për ta ndjekur Crvena Zvezdën në Kosovë, por gjithashtu edhe të gjithë tifozët bardh e kuq nga provinca jugore serbe. Ne jemi krenarë me tifozët tanë, ata treguan se Crvena Zvezda është Serbia dhe se kudo që shkon ekipi për të luajtur ata janë aty. Është një fitore diplomatike për Serbinë, Federatën Serbe të Futbollit, për vendin tonë dhe për Crvena Zvezdën”, ka përfunduar Crvena Zvezda në komunikatën e saj.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Risitë nuk kanë të ndalur, kësaj radhe kompania Artmotion në…