Dabiqaj, ‘ylli i javës’ në Superligë

07 nëntor 2022 | 12:05

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall , bëjnë ndarjen e çmimit “ylli i javës” pas çdo xhiroje në elitë. Çmimi i më të mirit për javën e 15-të i ka takuar futbollistit të SC Gjilani, Albert Dabiqaj.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit.

Dabiqaj pati paraqitje shumë të mirë në duelin ndaj Prishtinës dhe ishte më i merituari që Gjilani arriti ta arkëtojë një pikë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ai, përveç lojës së mirë gjatë tërë ndeshjes, arriti të shënojë të dy golat për skuadrën e tij në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, e cila u mbyll baras 2:2.

Çmimin “ylli i javës” për Dabiqajn e ndau Adlum Ramadani, menaxher i marketingut dhe PR-it në Albi Mall.

E pas marrjes së çmimit futbollisti i skuadrës gjilanase theksoi se ky çmim i jep motiv për të vazhduar të japë më të mirën në fushën e gjelbër, ndonëse klubi po kalon kohë të vështira për shkak të mungesës së përkrahjes financiare.

“Duke pasur parasysh periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon ekipi ynë, ky çmim është një motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim dhe për të luftuar në Albi Mall Superligën e Kosovës. SC Gjilani ka një ekip kualitativ e të komponuar por problemet tashmë të ditura për publikun, na kanë lënë disa hapa prapa me skuadrat e tjera. Besoj që çdo gjë do të përmirësohet dhe do të kthehemi tek rezultatet e mira dhe aty ku e kemi vendin. Falënderoj trajnerët dhe bashkëlojtarët që përkundër rrethanave të vështira çdo ditë e gjejmë motivin për punë”, ka thënë Dabiqaj për faqen zyrtare të FFK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, shpesh herë është…