Daka, Osmanit: I fute duart në institucion të pavarur, shkarkimi im ishte politik – LDK bëri pazare

20 prill 16:53

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar edhe një herë lidhur me shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas shumë kohësh, shkarkimi i Dakës vazhdon të jetë një nga çështjet më të diskutuara në vend, por pavarësisht kësaj për presidenten Osmani ky vendim ishte i drejtë, e madje ndër vendimet më të mira siç thotë ajo që ka marrë deri tani.

“Ndër vendimet më të mira që kam marrë si presidente. Gjatë tërë mandatit do të vazhdojë të punojë me ngulm që në institucionet tona të ketë integritet, jo vetëm profesionalizëm. Ai vendim jo vetëm që ka qenë i drejtë, por i plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, ka thënë Osmani mbrëmë.

Lidhur me këtë deklarim të presidentes Osmani, “lajmi.net” ka kontaktuar ish-kryetaren e Komisionit Qendror  të Zgjedhjeve (KQZ),  Valdete Daka, e cila ka theksuar se përpos largimit të saj nga pozita drejtuese e KQZ-së, Osmani nuk ka marrë asnjë vendim tjetër të madh në kuadër të drejtimit të vendit.

Përpos kësaj, Daka ka thënë se pavarësisht se Osmani e cilëson vendim të mirë largimin e saj, këtë nuk po e thonë raportet e huaja.

“Këtë deklarim të saj e demantojnë më së miri tashmë këto raportet të cilat janë publike, pra raporti i Departamenti të Shtetit, raporti i BE-së, e të gjitha raportet që kanë qenë e demantojnë këtë deklarim të saj”, ka thënë Daka.

Sipas Dakës, shkarkimi i saj ka qenë hera e parë që një president “ i ka futur duart në institucionet e pavarura”.

Ajo theksoi se ky veprim është një precedent i rrezikshëm, pasi që personalisht nuk i ka shkaktuar asnjë dëm, por i ka penguar linçimi që i është bërë më pas nga zyrtarë të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ka mbetur një shije e keqe, sepse një institucion kushtetues pra njeriu i një institucioni kushtetues është larguar në një mënyrë krejtësisht politike. Ka qenë një veprim politik, një veprim për vota, një veprim për të treguar forcë, për të treguar që unë mund të bëjë çka të dua, edhe ka mbet një shije e keqe sepse edhe një precedent, pra ka ndodhur një precedent i rrezikshëm. Asnjë president deri më tani nuk i ka futur duart në institucione të pavarura. Kjo është hera e parë që një president ndërhynë njëanshëm duke i thënë të gjithë se e ke gabim megjithatë veproi ashtu. Ky është një precedent i rrezikshëm, sepse mu personalisht ndoshta nuk më ka bërë diçka, sepse pozitat në të cilat zgjidhesh dikur përfundojnë, i vetmi sen që më ka shqetësuar apo më ka ofenduar ka qenë mënyra se qysh krejt kjo është bërë dhe linçimi që më është bërë nga ana e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Krejt kjo ka lënë një shije të keqe, jo vetëm për mua por edhe për të gjithë ata njerëz që dinë dhe kuptojnë”, ka thënë Daka.

Valdete Daka ka deklaruar se veprimi i presidentes Osmani për shkarkimin e saj lidhet edhe me një barsoletë, ku njeriu i mpirë vepron sërish siç do vetë, pavarësisht realitetit që i thuhet përreth.

“Edhe presidentja përderisa të gjithë i thonë se e ke gabim, kjo është sikur ajo barsoleta me njeriun e pirë. Kur të thonë tre vetë se je i mpirë, mbahu për druri. Edhe presidentja, derisa të gjitha raportet thonë se e ke keq, domethënë e ke keq”, është shprehur Daka.

Sipas Valdete Dakës, presidentja Vjosa Osmani nuk ka marrë asnjë vendim të rëndësishëm për Kosovën deri më sot, teksa e ka cilësuar se vendimi i vetëm i saj ka qenë shkarkimi i Dakës, e që sipas saj ishte i vetmi dhe i gabueshëm.

“E që ajo këmbëngul se unë e kam mirë e vendimi im është më i miri, atëherë e kisha pyetur se çfarë vendime ka marrë deri sot? Cilat janë ato vendim të tjera të mëdha që ka marrë deri sot, përpos vendimi për shkarkimin tim? A ka ndonjë vendim që ka marrë presidentja deri sot? Pra diçka të rëndësishme për Kosovën, ky ka qenë vendimi i vetëm edhe ai i gabueshëm”, ka thënë Daka.

E njëjta është pyetur edhe lidhur me vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të mos e dërgojë në Kushtetuese çështjen e shkarkimit të saj.

Sipas Dakës edhe vetë LDK-ja është penduar që s’e kanë marrë këtë vendim. Madje, ajo ka thënë se vendimi i LDK-së, që të kursejë presidenten Osmani për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese ishte pazar politik.

“U kuptua edhe në një deklaratë të fundit nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, që janë penduar. Nuk kam çfarë të komentojë, por që në njëfarë mënyre i kanë rënë pishman që nuk e kanë çuar këtë çështje, por si duket kanë bërë kalkulime politike edhe ata, edhe tashmë kjo punë ka përfunduar, nuk ia vlen më as të diskutohet. Por ka mbetur një shije e keqe pas gjithë kësaj”, ka thënë Daka.

Ndryshe në arsyetimin e shkarkimit të Dakës është thënë se “kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga të gjitha institucionet relevante dhe duhet menaxhuar nga brenda nga kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së”.

Lidhur me shkarkimin e Valdete Dakës pati pasur reagime të shumta, si nga partitë opozitare, shoqëria civile, por edhe nga institucionet e huaja.

Madje, kjo çështje është përfshirë së fundi edhe në raportin e DASh-it.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka zhvilluar sot…