Dakaj: Romani “Revolta e Syzifit” i Bardhyl Mahmutit është një tekst mes kufirit ndërmjet letërsisë artistike dhe dëshmisë historike
Ajo çfarë ka ndodhur para 27 vjetësh në shtëpinë e Sinan Muqollit në Poklek të Vjetër është dokumentuar me monografi shkencore (libër), me imazhe të kamerave të televizioneve (kronikave), me regjistrim të zërave (diktafonëve), me lloje të ndryshme të shkrimeve gazetareske në gazeta fizike dhe elektronike. Rrëfimet e të mbijetuarve, edhe të familjarëve të viktimave, i kam lexuar dhe dëgjuar në libra, gazeta, televizione. E kam paramenduar se një ditë pesha e dhimbjes së tyre, që nuk matet me asgjë, do të trajtohet edhe në letërsi.
Romani “Revolta e Syzifit” i Bardhyl Mahmutit është një tekst mes kufirit ndërmjet letërsisë artistike dhe dëshmisë historike. Ai lexohet si narrativë letrare dhe si diskurs dokumentar politik.
Që në fillim autori romanin e shpall “dokumentar”, duke i bëre me dije lexuesit se ky nuk është trillim. Libri, përpos personazhit (narratorit dëshmitar, Fadil Muqollit), i cili rrëfen për krimin që kanë përjetuar familjarët e tij dhe familjarë të tjerë nga fshatra të tjera në shtëpinë e tij, ka edhe dokumente historike, fotografi, referenca konkrete dhe analiza diskursive.
Ligjërata e drejtë në këtë vepër dominon. Ajo shfaqet si argumentim politik dhe historik.
Pjesa më e gjatë e tekstit është polemikë kundër: propagandës serbe, relativizimit të krimeve, përdorimit të gabuar të termave të ndryshëm.
Fotografitë dhe përshkrimet e tyre në libër nuk janë vetëm ilustrime, por argumente që e mbështesin narrativen e autorit dhe të personazhit. Ato i japin veprës një dimension etik, duke synuar ruajtjen e kujtesës kolektive.
Syzifi është simboli qendror i veprës. Ai nuk është figurë mitologjike, nuk mban mbi shpinë gur, por është figurë reale dhe mban mbi shpinë thesin e najlonit (në kapakun e librit thesin e bezes), në të cilën ka futur mbetjet e eshtrave të familjarëve pas djegies së tyre në shtëpinë kremator nga forcat policore dhe ushtarake serbe.
Kjo metaforë e Syzifit krijon një lidhje universale mes mitit dhe historisë moderne.
Në shumë fragmente, sidomos në përshkrimet e viktimave dhe skenave të luftës, autori përdor: gjuhë figurative, imazhe të forta poetike, ritëm emocional. Për shembull, përshkrimet e fotografive i shndërron në ese të shkurtra poetike mbi dhimbjen.
Ndër të tjera, narratori nuk është vetëm dëshmitar, por edhe interpretues, komentues, ndërtues i kuptimit. Ai krijon një shtresë të zhdrejtë, ku realiteti filtrohet përmes ndërgjegjes së tij.
“Revolta e Syzifit” është një vepër me mision të qartë: të dëshmojë, të argumentojë dhe të luftojë për të vërtetën historike që i ka ndodhur popullit shqiptar, sidomos katër familjeve në shtëpinë e Sinan Muqollit në Poklek të Vjetër.
Pesha e kësaj vepre në gjuhën shqipe është shumë e madhe, por duhet të bëhet edhe më e madhe kur Syzifi të flasë edhe anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, serbisht e në gjuhë të tjera.
“Qendra Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, të gjithë anëtarët e saj dhe ndihmëtarët e saj, po bëjnë përpjekje të mëdha, sa institucionet lokale dhe qendrore të komunave e të qeverisë sonë, t’i tregojë mbarë botës, me libra studimorë dhe artistikë, se në Kosovë ka ndodhur gjenocid.
Berat Dakaj-Armagedoni.



