Dalja e Britanisë nga BE-ja shtyhet deri më 31 janar

28 tetor 2019 | 11:21

Bashkimi Evropian (BE) është pajtuar për shtyrjen e Brexitit, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 janar të vitit 2020.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, nëpërmjet llogarisë se vet në “Twitter” ka thënë se vendimi pritet të formalizohet me procedurë të shkruar.

Ambasadorët e vendeve të BE-së janë pajtuar në parim për shtyrje qysh të premten, pasi kancelari britanik, Sajid Javid, ka pranuar se ky afat nuk mund të përmbushet.

Britania ka vendosur të largohet nga BE-ja në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Që atëherë vazhdojnë edhe negociatat për një marrëveshje mbi kushtet e divorcit.

Palët kanë arritur dy marrëveshje, por asnjëra nuk ka gjetur mbështetje të mjaftueshme në Parlamentin britanik.

Kundërshtimet kanë të bëjnë kryesisht me politikat që do të zbatohen në kufirin me Irlandën, pas Brexitit.

Kjo është hera e tretë që shtyhet Brexiti.

Përveç kësaj, Mbretëria e Bashkuar po përballet sot edhe me një debat mbi propozimin e kryeministrit Boris Johnson për të thirrur zgjedhje të parakohshme në dhjetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja e fundit për javën e 12-të në IPKO Superligën…