Dallasi mposhti Lakersat, fitojnë Bucks e Celtics

23 prill 2021 | 12:17

Moment me shumë ulje-ngritje për Los Angeles Lakers në NBA. Kalifornianët pësuan humbjen e tretë në katër ndeshjet e fundit dhe të 24-ën në këtë sezon pasi u mposhtën me rezultatin 115-110 nga Dallas Mavericks në Texas. Në “American Airlines Center” Luka Donqiq shfaqi pjesë nga repertori i tij më i mirë dhe me 30 pikë 9 rebound e 8 asistime udhëhoqi Mavericks drejt suksesit numër 32 në këtë sezon.

Rikthimi i Antony Davis nga dëmtimi i gjatë në tendinën e Akilit nuk ishte i mjaftueshëm për LA Lakers pasi ylli i kalifornianëve në 16 minuta lojë shënoi vetëm katër pikë, ndërkohë që më i miri mbi parket për skuadrën e Frank Vogel ishte Caldwell-Pope me 29 pikë.

Milwaukee Bucks u rikthye te fitorja pas dy humbjesh rresht duke mposhtur Philadelphia 76ers me rezultatin 124-117. Humbja e tretë radhazi për skuadrën nga Pensylvannia që tashmë rrezikon vendin e parë në Lindje të cilin për momentin e ndan me Brooklyn Nets. Kjo sfidë mori drejtim që në pjesën e parë me Milwaukee që shkoi në pushim në avantazhin e 17 pikëve dhe më pas menaxhoi e qetë ndeshjen. Giannis Antetokounmpo me 27 pikë dhe Chris Middelton me 24 pikë ishin dy basketbollistët që udhëhoqën Bucks drejt këtij suksesi ndërkohë që te miqtë spikati kamerunasi Joel Embiid me 24 pikë.

Moment i shkëlqyer për Boston Celtics që mori fitoren 7-të në 8 ndeshjet e fundit pasi kaloi me rezultatin 99-86 Phoenix Suns në “TD Garden”. Kemba Walker me 32 pikë ishte heroi i padiskutueshëm i Bostonit në këtë sfidë ndërkohë që te Phoenix Suns spikati Chris Paul me 22 pikë 8 rikuperime poshtë tabelës dhe 8 pasime vendimtare. Me këtë fitore Celtics u ngjitën në vendin e 5-të të Konferencës së Lindjes ndërkohë që Phoenix pavarësisht humbjes nuk e rrezikon vendin e dytë në Perëndim. Një fitore të thjeshtë mori San Antonio Spurs që mposhti 106-91 Detroit Pistons në “AT&T Center”, një sukses që e katapultoi skuadrën e Gregg Popovich në vendin e 9-të të Konferencës së Perëndimit me San Antonion që me shumë gjasa do të jetë në “play-off”. /SS/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur të mbahet seanca e radhës e Gjykatës Speciale…