‘Dardanët’ e rinj paralajmërojnë fitore ndaj Shqipërisë

12 tetor 2019 | 14:56

Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll ka zhvilluar të premten seancën e tretë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kualifikuese kundër Shqipërisë, e cila do të zhvillohet në Elbasan më 15 tetor.

“Dardanët” e rinj, nën udhëheqjen e përzgjedhësit Rafet Prekazi dhe ndihmësve të tij, Erdogan Celina e Naser Prapashtica, kanë stërvitur me intensitet të plotë në stadiumin e Feronikelit.

Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, atmosfera brenda ekipit është e shkëlqyeshme dhe të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe po punojnë me përkushtim të madh, derisa kontingjentit të futbollistëve iu kanë bashkuar edhe Lirim Kastrati dhe Arbenit Xhemajli, të cilët luajtën me Përfaqësuesen A në miqësoren kundër Gjibraltarit. Në stërvitjen e fundit është punuar në të gjitha aspektet e lojës, derisa janë provuar edhe skema të ndryshme të lojës.

“Është një ndeshje ndryshe nga të tjerat, ngaqë në fushë të gjithë do të jemi vëllezër të një kombi. Mirëpo, kur të zbresim në fushë kjo nuk na intereson, pasi e kemi një objektiv para vetës për ta fituar ndeshjen dhe për ta vazhduar ëndrrën e kualifikimit në Evropian. Sigurisht se do të jetë ndeshje e vështirë dhe Shqipëria do ta japë maksimumin, por ne synojmë ta bëjmë lojën tonë dhe shpresoj se gjithçka të shkojë siç duhet. Mendoj se pika jonë e fortë është fakti se luajmë me zemër, kemi cilësi dhe e lëmë shpirtin në fushë për 90 minuta”, ka thënë Eris Abedini pas stërvitjes.

Për ndeshjen ndaj kuqezinjve të rinj foli edhe sulmuesi i Kukësit, Mirlind Daku. Edhe Daku e parashikon si një ndeshje interesante dhe të vështir për të dyja skuadrat. “Duke pasur parasysh se jemi dy kombëtare shqiptare normalisht se do të jetë ndeshje emocionale për të dyja palët. Sigurisht se do të jetë ndeshje shumë e fortë, por besoj se do të ketë korrektësi maksimale. Ne duhet të hyjmë si në çdo ndeshje tjetër me motiv të plotë për të fituar. Prioritet për ne është arkëtimi i tri pikëve të reja në mënyrë që ta ndjekim ëndrrën e kualifikimit. Ka lojtarë që i njoh te Shqipëria, por i besoj shumë këtij grupi të futbollistëve dhe jam i bindur se do të arrijmë fitore”, ka thënë Daku.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka nisur t’i ndajë hiset…