‘Dardanët’ me sloganin ‘Welcome and Respect’ do t’i presin anglezët

12 nëntor 2019 | 15:42

“Dardanët” kanë mbajtur sot konferencë për media para dy ndeshjeve të rëndësishme të Kosovës në kualifikimet për “Euro 2020”.

Kryetari i tifo-grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet para ndeshjeve me Çekinë dhe Anglinë, dhe sipas tij slogani zyrtar do të dalë pikërisht nga grupi i “Dardanëve”.

“Mendoj që prej këtu duhet dal slogani për pritjen e anglezëve. Ne e kemi marrë një iniciativë për shkak të rëndësisë së ndeshjes që do të zhvillohet. Ne e kemi organizuar dhe do të dalim me një slogan zyrtar nga ‘dardanët’. Për këtë kemi një bashkëpunim të mirë me komunën e Prishtinës”, ka thënë Berisha.

Vjosa Berisha anëtare e grupit të femrave të “dardaneve” tregoi më shumë rreth sloganit të cilin do të publikojnë disa ditë para ndeshjes të së dielës.

“‘Welcome and respect’ është slogani i mikpritjes së Anglisë. Këtu përfshihen shumë aspekte. Normalisht mikpritja që është virtyt tradicional i Kosovës. Vendi ynë ka marrë shumë përkrahje nga Anglia në shumë aspekte por edhe në pavarësinë e Kosovës. Ky mesazh do të vijë edhe në kuadër të racizmit, për nder të lojtarëve me ngjyrë të Anglisë të cilët janë abuzuar shumë në ndeshjet tjera”, ka deklaruar Berisha.

Zëdhënësi i “dardanëve”, Berat Buzhala u shpreh se janë përgatitur maksimalisht dhe shpreson që asgjë e keqe nuk do të ndodhë.

“Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtu. Jemi të bindur që nuk do të ndodhë asgjë e keqe. Kërkojmë nga ju që të shpërndahet sa më shumë ky slogan”, ka pohuar Buzhala.

Ndërsa Ardian Berisha, koordinator i eventeve kulturore sportive nga Komuna e Prishtinës, konfirmoi bashkëpunimin për këto dy ndeshje të Kosovës. “Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me ‘dardanët’ dhe FFK-në fillimisht do ta transmetojnë ndeshjen ndaj Çekisë dhe më pas do të dalin me sloganin zyrtar. Do të këtë aktivitete të ndryshme për mikpritjen e tifozëve të Anglisë dhe më pas do të transmetohet edhe ndeshja ndaj Anglisë ku shpresojmë që do të festojmë edhe kualifikimin për ‘Euro 2020’”, ka deklaruar Berisha.

Aktori Fatmir Spahiu u shpreh se me kënaqësi e kanë pranuar ftesën për bashkëpunim nga kryetari i “dardanëve”. “Ky grup që po e shihni para jush është vetëm një pakicë e atyre që janë angazhuar të japin një mikpritje të mirë për tifozët anglezë. Ne e dimë për një marrëdhënie speciale dhe falënderuese që kemi ndaj Anglisë. Ne e kemi pranuar me kënaqësi ftesën e kryetarit të ‘dardanëve’ për të bërë një pritje madhështore për tifozët dhe kombëtaren e Anglisë”, u shpreh Spahiu. Kosova të enjten zhvillon ndeshjen si mysafir ndaj Çekisë, ndërsa të dielën e pret Anglinë në Prishtinë. /KSP/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka bërë me dije se është funksionalizuar…