
De Bruyne: Haalandi mund të shënojë deri në 800 gola
Erling Haaland ka shënuar tashmë 180 gola në karrierën e tij profesionale, edhe pse është vetëm 22-vjeçar. Shoku i tij i skuadrës në Manchester City, Kevin de Bruyne, beson se qendërsulmuesi do të vazhdojë të shënojë për vitet në vijim dhe të arrijë ato rekorde që vetëm Lionel Messi ose Cristiano Ronaldo i kanë arritur kohët e fundit.
“Erlingu është kaq i fiksuar pas golave dhe ai tashmë ka rreth 200 gola, kështu që ndoshta mund të shkojë në 600, 700 ose 800 nëse qëndron në formë dhe bën gjërat që bën”, ka thënë De Bruyne. “Unë nuk i krahasoj sulmuesit sepse nuk është mënyra se si e shikoj futbollin, por Erling është një sulmues i nivelit të lartë”, ka shtuar mesfushori belg.
De Bruyne vazhdoi duke lavdëruar Haalandin për qëndrimin e tij dhe qasjen e tij ndaj lojës. “Unë nuk e shoh Erlingun si të ndryshëm nga shumë njerëz. Ai është ende një djalë i ri që shijon jetën e tij dhe e merr shumë seriozisht futbollin e tij. Atij i pëlqen të shënojë gola, kështu që mendoj se kjo është gjëja më unike që ka”, shtoi De Bruyne.