Debati për zgjedhjet eventuale mbulon dështimet qeveritare, në veçanti dështimin në Këshillin e Evropës

26 maj 2024 | 17:04

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Fuqia e një shteti varet shumë nga partneriteti strategjik që ka me aleatët ndërkombëtarë e në veçanti me shtetet mike evropiane dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë partneritet Qeveria e Kosovës e ka luhatur dhe dëmtuar në masë të madhe sa që e rrezikon mbështetjen e nevojshme që do të ketë Kosova në të ardhmen. Në rrugën e saj integruese në shumë institucione ndërkombëtare e në veçanti në KiE, BE dhe NATO, Kosova e ka të pamundur progresin apo edhe anëtarësimin pa ndihmën dhe lobimin e partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë, në veçanti pa mbështetjen e ShBA-ve që janë më meritorët për lirinë e Kosovës por edhe pavarësinë e saj dhe për ndërkombëtarizimin e Republikës së Kosovës në mbarë botën.
Është momenti kur politikanët e Kosovës duhet të kuptojnë të vërtetën se edhe kur ne mendojmë se ShBA-të janë gabim ata kanë të drejtë.
George Friedman në librin “100 vitet e ardhshme” me shumë analiza dhe parametra ekonomik, politik, gjeostrategjik, inovativ dhe zhvillimor e argumenton faktin se shekulli i 21 është shekulli i fillimit të dominimit të ShBA-ve dhe a e dinë këtë apo a e kanë lexuar politikanët e Kosovës që sillen në këtë mënyrë?!
Dështimet qeveritare janë të shumta, në veçanti në rrafshin ekonomik, politik, social kulturor, integrues, edukativ, shëndetësor, në aspektin diplomatik dhe në veçanti në ruajtjen e imazhit të saj në arenën ndërkombëtare.
Rasti i Banjskës që ndodhi në shtatorin e vitit të kaluar që ishte një kthesë tragjike por edhe në favor të Kosovës ku u krijua një momentum i ri për Kosovën por nuk u shfrytëzua sa e si duhet.
Hapja e “kutisë së pandores” me çështjen e dinarit serb është një autogol që e dëmtoi dhe e goditi Kosovën ndoshta sikur trazirat e marsit 2004.
Të jemi shkaku i faktorizimit të Serbisë në Këshillin e Sigurimit, të qortohet Kosova edhe nga miqtë evropianë dhe amerikanë për këtë veprim është dhurata më e mirë për Serbinë dhe Rusinë e dhuruar nga vetë institucionet kosovare.
Çështja e dinarit u politizua deri në atë masë sa që tani është temë e dialogut në Bruksel.
Tani dinari për serbët në veri nuk është vetëm mjet paqësor por është emocion dhe “mollë e ndaluar”, dhe prapë partneriteti me miqtë ndërkombëtar u anashkalua.
Pas liberalizimit të lëvizjes pa viza në BE si proces të shumë pritur nga qytetarët e Kosovës, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dukej se do të rritë shpresat për përshpejtimin e integrimit në BE dhe me kohë në NATO por edhe në këtë proces dështuam si pasojë e mos dëgjimit dhe moskoordinimit me miqtë ndërkombëtar.
Duke pasur parasysh faktin se opozita aktuale është inerte dhe e pa vizion ra pre e “darkës së gabuar” por shumë mirë të gatuar nga kryeministri Kurti.
Në vend që opozita të merret me dështimet qeveritare në çdo pore të shoqërisë, ajo ra në grepin e zgjedhjeve që janë në duart e kryeministrit e jo të Qeverisë.
Zgjedhjet eventuale mund të jenë të shpallura atëherë kur ai mendon se është momenti e jo kur opozita kërkon.
Fati i Kurtit është që në opozitë nuk e ka Albinin si opozitar profesional!
Opozita, analistët dhe gazetarët nëpër studio televizive sot debatojnë për zgjedhje eventuale pa datë e me konspiracion në vend që të debatojnë për dështimet e shumta të cilat e kanë shndërruar Kosovën në shtet nga i cili duhet ikur e jo në shtet me vizion dhe për të jetuar e qëndruar në të.
Ikën qytetarët dhe kapitali i bizneseve vendore nga Kosova e qeveria në heshtje i realizon objektivat e veta për pushtet e në interes të partisë politike e jo për shtet e në interes të qytetarëve të Republikës sonë.
Masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian po vazhdojnë të jeni fuqi e si duket edhe të qëndrojnë edhe gjatë në qoftë se nuk rritet përgjegjësia dhe llogaridhënia për dështimet në kontinuitet.
Zgjedhjet nuk janë fontanë dëshirash por vizion dhe mision për zhvilluar shtetin e për të mbështetur qytetarin e jo për të kapur pushtetin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një Autoritet Palestinez “i fortë” është i nevojshëm për të…