Dedaj dhe Bislimi u priten në parlamentin e Zvicrës në Bern
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, dhe drejtori i organizatës joqeveritare “Zëri Perëndimor i Kosovës”, Sali Bislimi, kanë takuar në parlamentin e Zvicrës në Bern deputeten Doris Fiala.
“Ishte nder, i shoqëruar nga bashkëpunëtori dhe veprimtari Sali Bislimi, për ta takuar në Parlamentin e Zvicrës deputeten Doris Fiala. Një zonjë e fuqishme e liberalëve (FDP) të Zvicrës, ish-anëtare e Këshillit të Evropës dhe kryesuese e delegacionit të Zvicrës në Parlamentin Evropian”, ka shkruar Dedaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Dedaj ka theksuar se Fialan kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, për perspektiven evropiane dhe integrimet euroatlantike të Kosovës, për nevojën imediate të respektimit të të drejtave të njeriut, barazisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së mediave në Kosovë.

“Njëkohësisht temë e bisedës në këtë takim ishte edhe falënderimi dhe mirënjohja ndaj shtetit mik të Zvicrës për trajtimin dhe integrimin në institucionet dhe shoqërinë zvicerane të mërgatës kosovare në Zvicër”, ka shkruar ish-ambasadori Dedaj.





