Deklarohet avokati i të dyshuarit për vjedhjen e 2 milionë eurove

22 tetor 2020 | 14:11

Veton Rrecaj, avokati i punëtorit të Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, që dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk, ka thënë se të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtuar seanca dëgjimore për klientin e tij me kërkesë të masës së paraburgimit.

Ai ka thënë se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Prokuroria paraqiti arsyet apo thënë më mirë tendencën e saj për caktimin e masës së paraburgimit, mirëpo nuk na paraqiti asnjë provë konkrete relevante, e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë, mirëpo kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pati mundësi ta argumentojë të njëjtën”, ka thënë Rrecaj para gazetarëve.

Ai ka thënë se deklaratat e Ministres së Financave, Hykmete Bajrami për këtë rast janë në kundërthënie me pretendimet për rastin.

“I mbrojturi im dyshohet në këtë fazë për një transaksion mbi 2 milionë euro nga vendi i tij i punës, e që nuk është e saktë, nuk është absolutisht e bazuar, përkundrazi, ju siguroj, ju si media e dini, e keni parë dje ministren, zonjën Bajrami, e cila ka deklaruar se mjetet, të cilat pretendon Prokuroria që janë keqpërdorur janë të sigurta. Atëherë lind pyetja, si mund të jetë një mjet apo një send i sigurt nëse është vjedhur?”, ka thënë mes tjerash ai.

Ai i ka bërë thirrje ministers Bajrami që të jap sqarime nëse të hollat e zhdukuara janë të sigurta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, bashkë me drejtorin…