Dekonspirimi dhe zbërthimi i enigmës për autorësinë e romanit “Tradhtia”

01 mars 2024 | 10:07

Prof. dr. Ragip Gjoshi

Haki Limani është autor i romanit “Tradhëtia” e jo Kapllan Resuli…! Duke shfletuar librin më të ri “Tradhëtia e shumëfishtë” të poetit, prozatorit, gazetarit dhe publicistit Fehmi Ajvazi të botuar në muajin qershor 2023 nga botuesi “Lena Graphic”, Prishtinë, 313 fq. mbështetur në dëshmitë që sjellë autori konkludohet se, pas një ngjarje të trisht të vdekjes” aksidentale” të krijuesit të ri dhe atdhetarit Haki Limani, pas 59 vjetësh dokumentohet me fakte se autor i romanit “Tradhtia” nuk është Kapllan Resuli, por është Haki Limani…! Gjatë viteve sa isha nxënës i Shkollës Normale, në vitin 1972 më kishte rënë në dorë, ilegalisht romani Tradhtia, që mbante për autor emrin e Kapllan Resulit, një figure kontroverse dhe antishqiptare. Brezi jonë, libra të tillë që shpërndaheshin, në mirëbesim, dhe tinës nga dora në dorë i lexonim me një frymë, e më pastaj përcillej te lexuesi vijues. Nuk mund të them se edhe Tradhtia” e Kapllan Resulit, si dhe libra të tjerë të ardhur nga rrjeti i organizuar ilegal kishte ndikuar në edukimin atdhetar dhe në krijimin e urrejtjes për ripushtimin e Kosovës dhe për tradhtinë e madhe sllave-komuniste. Më vonë, sidomos gjatë periudhës së studimeve, duke njohur më në plotëni jetën dhe veprën e pseudoautorit, më lindi kureshtja, prej nga ky frymëzim e pasqyrim atdhetar nga një shkrimtar që më vonë shante prejardhjen e tij! Por, më në fund, me vonesë, por mësuam se cili ishte ky Kapllani?!

Dekonspirim i plotë i një komploti letrar

Romani historik i mirënjohur “Tradhtia”, së pari është botuar në vitin 1965 në Tiranë, pastaj është ribotuar në vitin 1967 në një tirazh prej 20 000 kopje. Ky roman, të cilin brezi im e lexonte me ëndje tinëz, larg syve të “rojeve të mjegullës” është bërë objekt trajtese për autorin librit “Tradhëtia e shumëfishtë” të poetit, prozatorit, gazetarit dhe publicistit Fehmi Ajvazi, duke e hulumtuar bërthamën e pikësynimit për dritëhijet e dy “personazheve” që kurrë nuk u panë mes vete, njëri është shqiptarë dhe tjetri përtej serbi. Haki Limani që personifikim i identitetit kombëtar dhe Kapllan Resuli, një personazh që personifikon shumëfishë tradhtinë!

Cili është shkrimtari?! Të dy jo se jo! Nga faktografia shpërthen autori real shkrimtari Haki Limani dhe në anën tjetër ”grabitësi” i pasurisë intelektuale të Hakiut, pseodoautori, agjenti i heshtur sekretë, me urdhër dhe mbikëqyrje të pushtetit, Kapllan Resuli (Kapllan Buroviq).

Autori Fehmi Ajvazi ka hulumtuar, krahasuar, sistemuar dhe analizuar të vërtetën…Kam bindjen se ia ka dalë që në këtë “ballafaqim”, të ngadhënjej e vërteta, me shumë dokumente e të dhëna burimore. Përvoja profesionale se autorit si gazetar, politolog dhe shkrimtar e ka ndihmuar në këtë udhë jo edhe aq të lehtë.

Është një nga romanet më të mirë historikë në letërsinë shqipe që u lexua dhe shpërnda ilegalisht dhe që ndikoi shumë në frymëzimin e brezit të Pranverës studentore të vitit 1981.Ky roman aso kohe, pati jehonë të madhe dhe ishte pritur me interesim të jashtëzakonshëm. Deri sa në Shqipëri ky roman ishte lexuar në mënyrë legale, në Kosovë dhe në viset e tjera, ishte lexuar në mënyrë të fshehtë – ilegale meqë, shërbimet jugosllave e kishin trajtuar me automatizëm si roman me karakter antijugosllav.

Pra, “historia” e përmbajtjes së romanit si tekst, është e komplikuar. Por, edhe më e komplikuar i ishte dukur z. Ajvazi historia e shkrimit të romanit, në të vërtetë “autorësia” duket të ketë lindur qëkur ky, e kishte lexuar romanin “Tradhtia” në vitin 1993.

Ky autori i dyshimtë (Kapllan Resuli) ishte si shkrimtar, ishte i panjohur, por u bë prekshëm në letërsinë shqipe në Tiranë e në Kosovë ndiqej. Këtu sforcohej dyshimi i z. Ajvazi, sidomos kur në shtypin e kohës, paraqitet Nafi Çergani (një ish operativist i zellshëm i UDB-s jugosllave në Shkup), i penduar publikisht që kishte punuar për shërbimin jugosllav. Ai, ndër të parët publikisht hedhë dyshim për autorësinë e Kapllan Resulit për romanin “Tradhtia”. Ky ish-sigurims dëshmon se e ka pasur në sirtarë dosjen e romanit në UDB-në e Shkupit. Ulqinaku, pa asnjë lidhje me Karadakun e Gjilanit, në roman duket njohës i shkëlqyer i terrent, njerëzve, traditës e mendësisë së këtyre ato viseve që pasqyrohen në roman. E “autori” i “Tradhtisë” këto njohje i kanë munguar. Kapllan Resuli, ky agjent i UDB-së – KOS-it jugosllav në hulumtimin, analizën dhe studimin e hollësishëm të Fehmi Ajvazi, zbërthen, lakuriqësohet dhe dekonspirohet tërësisht! Të gjitha udhët na shpijnë se Kapllan resuli nuk është autori, por është Haki Limani.

Argumentet e F. Ajvazit, një thirrje që post mortem duhet t’i pranohet autorësia Haki Limanit

Kohë më parë, poeti, prozatori, gazetari dhe publicisti Fehmi Ajvazi ka nxjerrë në dritë librin “Tradhtia e shumëfishtë”, të botuar nga “Lena Graphic”. Një libër i një zhanri të veçantë, shumë pak i lëruar tek ne, të cilin e ka strukturuar në pesëmbëdhjetë kapituj. Autori i librit, Fehmi Ajvazi, vjen me një përvojë të gjatë si gazetar, që punoi pothuaj për të gjitha të përditshmet tona dhe në disa revista letrare, politike e shkencore. Ndërsa në krijimtari zhanresh të ndryshme, deri tash ka botuar shtatëmbëdhjetë vepra.

Vepra e fundit për objekt trajtese ka gjurmimet mbi historinë e një romani që në të vërtetë është një rrëfim në vetën e pare, për një agjent të maskuar me petkun dhe rolin e shkrimtarit. Ky poliagjent i maskuar kalëron nëpër një saga e mistershme, siç kaloi edhe vetë romani “Tradhtia” i nxjerrë në dritë me emrin e agjentit Kapllan Resuli.

Më pastaj Ajvazi ka arritur të pasqyrojë edhe personazhin, deri tash pak të njohur, Haki Limani, për të cilin ai sjellë argumente bindëse që është autori i vërtetë. Autori i librit “Tradhtia e shumëfishtë”, Presheva me rrethinë e trajton si një vatër e rezistencës kombëtare dhe një ndër frymëzuesit e cilësor Haki Limanin. Në Kapitullin e katërt trajtohet “aksidenti” në dimër, duke e dokumentuar me një dosje të plotë të Raatit dhe deklarata të dëshmitarëve okular, si dhe fakte për heshtjen e frikshme mbi varrin e tij. Kapitulli vijues i kushtohet faktografisë për agjentin Kapllan Resuli. Dhe analizën e dyzuar: “Haki Limani & Kapllan Resuli”. Autori arrin të argumentojë se Kapllani s’kishte qenë kurrë në jetën e tij në territorin e Karadakut. Debati i domosdoshëm për Kapllani kishte përfunduar në vorbullën e “kryetezës “ së autorit…! Në krejt vorbullën e historisë së agjentit Kapllan Resulit është ideja se a është autori real ky monstrum i nënshkrimit të letrave! Në Kapitullin e tetë bëhet fjalë për strukturën dhe metodat e veprimit të shërbimeve sekrete serbe OZN/KOS dhe për teoritë dhe praktikat politiko-agjenturore jugosllave kundër shqiptarëve. Autori ka arritur të depërtoi në veprimtarinë e Qendrës agjenturore – terroriste: “Skopje”, nga nxori Kumtin e (pa) pritur apo lajtmotivin i një dorëshkrimi.

Suksesshëm në këtë libër trajtohen edhe dy Dosje kamufluese PPR “Korabi” (Predmet u predomu rada dhe “Kapllan Resulbegoviq”. Në Aneks, autori ofron edhe elementet e kodimit të figurës: “rebel, shkrimtar, patriot, komunist, antijugosllav, luftëtarë, disident, hulumtues, akademik etj. Autorit nuk i ka shpëtuar pa trajtuar edhe historinë e botimit të romanit “Tradhtia” në Tiranë, Ndërkaq pikësynimi për të analizuar përmbajtjen e romanit dhe për të argumentuar, se pse nuk është autor i romanit Kapllan Resuli zë vend në Kapitullin e dhjetë. Ajvazi e demanton një tezë për versionin e paqëndrueshëm kinse të “Mahmut Dumani” si autor i romanit. Në Kapitulli n e njëmbëdhjetë hedhet dritë mbi njohjen dh miqësinë e ngushtë të Haki Limanit me Fazli Arifin, madje i përkushtohet dokumentimit se pse është i bindur se Haki Limani e ka shkruar romanin “Tradhtia” me plot dëshmi të pakontestueshme Edhe njëherë vlerësoi se kryetezën e autorit është faktografia mbi refuzimin e autorësisë së Kapllanit dhe argumentimit të faktit se autor është Haki Limani. Shfrenimi i Agjentit Kapllan R. Kapitulli dekonspirimi më i mirë i dështimit të misionit të rrezikshëm këtij agjenti deri në organizimin e një “kryengritje të shqiptarëve” në Jugosllavi? Kështu, lexuesi mund të bindet se jo veç se Kapllani ishte antishqiptar deri në vdekje gjë që dokumentohet me intervistat e tij raciste e fashiste, por edhe me tezën e ngritur nga qarqe shoveniste serbe e të nënshkruara nga Buroviq se gjoja “Shqiptarët sot duan ta kontrollojnë Ballkanin, e nesër Evropën”. Sipas F. Ajvazit, K. Buroviq është mohuesi i kombit shqiptar dhe teza e tij raciste “Diaspora” – nga më të rrezikshmet të derisotshme.

Autori dokumenton edhe faktin për ndërhyrjet dhe deformimet bizare në përmbajtjen e romanit dhe bënë thirrje që pas Kapllani nuk është autori i romanit “Tradhtia”: atij duhet t’i merret autorësia! Sidoqoftë, dihet se Kapllani vdiq si serb.

T’i merret autorësia Buroviqit e t’i kthehet Haki Limanit!

Libri i Fehmi Ajvazit para lexuesve vjen si një thirrje e titulluar “Tradhtia e shumëfishtë”, me nëntitullin (Dosja “Haki L. & Kapllan R”) që pseodoautorit t’i merret autorësia dhje postmortem t’i kthehet.

Kush është Haki Limani?

Sipas shpjegimeve të autorit, Haki Limani leu në vitin 1936 në fshatin Tërrnavë të Preshevës. Pati mbaruar studimet në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Prishtinë. Hakiun, të gjithë ata që e kanë njohur, e kujtojnë për njeri të edukuar, të sjellshëm, trim, arsimdashës dhe për atdhetar të përkushtuar. Në vitin 1964, me porosi të UDB-së, atij ia ka marrë jetën një makinë, që e ka shtypur në trotuarin e një rruge në Prishtinë, duke shëtitur me poetin Azem Shkreli.

Në këtë libër Fehmi Ajvazi pas 59 vjetësh dëshmon me fakte se autor i romanit “Tradhtia” nuk është Kapllan Resuli, që ka ndërruar jetë në vitin 2022 në Gjenevë, por Haki Limani.

Shtrohet pyetja se ka qenë ndonjëherë në Preshevë “autori” i romanit Kapllan Resuli?! Këtë fakt e shtjellon Ajvazi dhe e bind lexuesin se një njeri që nuk kishte jetuar gjatë në Preshevë mund t’i dinte aq mirë ngjarjet, t’i njihte aq në hollësi personazhet, sikur të ishte rritur me ta dhe t’i paraqiste aq bukur e me aq besnikëri peizazhet, sikur ta kishte kaluar një jetë të tërë në ato vise.

Ka kohë, pas krijimit të klimës së volitshme politike në Kosovë është debatuar pa frikë për shumë çështje kombëtare, është folur e është përfolur hapur edhe për historinë se si ka përfunduar romani “Tradhtia” në dorë të Kapllan Resulit, si dhe për botimin dhe për vlerësimin e tij në Shqipëri. Përderisa autorësia e romanit qëndronte e mbështjellë me mjegull, është bindës fakti se ky njeri pasi ishte përpunuar në organet e Sigurimit jugosllav ishte dërguar atje me mision antikombëtar. Edhe kur ishte botuar romani në qarqet e intelektualëve atdhetarë, që janë marrë edhe me shkrime, shpesh është thënë se këtë roman nuk e ka shkruar Kapllan Resuli, por dikush nga intelektualët e anës së Preshevës ose të Gjilanit.

Pas leximit të librit të F. Ajvazit nuk mbetet asnjë dyshim se autor i vërtetë i romanit “Tradhtia” është vetë Haki Limani, që si vendës edhe i ka njohur ngjarjet e personazhet dhe ka pasur nga kush të mësonte për ato që janë paraqitur në roman. Përgëzoj autorin Fehmi Ajvazi, që me argumente ka dalë që sjell fakte për autorin e romanit “Tradhtia”, ia ka dalë ta demaskojë pushtuesin, ia ka dale të hedhë dritë edhe mbi vrasjen e Haki Limanit, duke ia vjedhur edhe veprën, dhe kështu duke kryer atentatin e dytë.

Nisur nga faktet që sjell Fehmi Ajvazi në librin e tij “Tradhtia e shumëfishtë”, lidhur me vdekjen “aksidentale” të Haki Limanit, kjo “vdekje” e mistershme në fatkeqësi komunikacioni në qendër të Prishtinës, s’është rastësishme në kohë. “Vdekja” e Haki Limanit është vrasje e kurdisur nga UDB-ja për shkak të qëndrimit të tij atdhetar, e sipas të gjitha gjasave të besueshme, edhe për shkak se ishte në dijeni të shkrimeve të tij, në veçanti të një vepre më voluminoze në dorëshkrim, që është konfiskuar në banesën e tij pas vrasjes dhe i është dhuruar Kapllan Resulit si mbulesë të rreme për veprimtarinë e tij antishqiptare, i cili më vonë e boton në Republikën e Shqipërisë, si vepër autoriale me titullin “Tradhtia”.

Libri vjen si një thirrje për korrigjimi i padrejtësisë, sado që me vonesë, ka peshën e vet të madhe. Institucionet e kulturës e të arsimit, madje edhe të tjerat, që u takon të merren me këtë çështje, si në Kosovë, si në Shqipëri, e kanë për detyrë, që pas 59 vjetësh t’ia kthejnë autorësinë të zotit. Këtë duhet ta bëjnë për Hakiun. Këtë duhet ta bëjnë për veprën! Mos të mbetet kjo vepër letrare nën kthetrat që ia grabitën dorëshkrimin e romanit të tij… !

Romani “Tradhtia”, kalë Troje për t’u “dëshmuar patriotizmi” i Resulbegoviqit

Tematikë e interesimit të autorit të librit “Tradhtia e shumëfishtë” të Fehmi Ajvazi të botuar kohë më parë ishte çështja e dyshimeve të hedhura për autorësinë autentike të romanit “Tradhtia” të Kapllan Resulit(më vonë të konvertuar në Kapllan Resulbegoviq. Kush ishte ky njeri i “infiltruar” të aktronte rolin e “patriotit”? Kapllan Resuli, i lindur, më 8 gusht 1934 në Ulqin, me mbiemër Resulbegoviq. Ai në vitin 1958 mbaron Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup. Ndërsa në vitet 1953-1959 punon mësues në Tearcë të Tetovës. Resuli në vitin 1959 arrestohet në Tetovë, ndërkaq në vitin 1961 ndodhë “arratisja” në Shqipëri (me ndihmën e UDB-ës). Mashtrimin e vijon edhe në Shqipëri. Kështu gjatë viteve 1963-1970 u emërua mësues historie e letërsie në Lushnjë. Më pastaj, organet e sigurimit shqiptar dekonspirojnë “Kalin e drunjtë” dhe gjatë vitit 1970 ai arrestohet në Shqipëri. Më 15 qershor 1971 organizohet gjykimi në Gjykatën e Tiranës. Në burg atje kaq qëndruar deri në janar të vitit 1991, kur ndodhi amnistia nga vuajtja e dënimit. Në vitin 1993,pas sorollatjeve nëpër dyert e UDB-ës në Titograd e në Beograd, ai emigron dhe strehohet në Gjenevë, ku vazhdon të jeton si i strehuar politik.)

Shtypi serb dhe Akademia Serbe e Shkencës e kishte shpallur Akademik prof. dr. Kapllan Buroviq (Академик проф. др Каплан Буровић). Por, shtrohet pyetja, pse u dashtë që Kapllan “shkrimtari, albanologu e patrioti” të arratisej në Shqipëri? Shtypi serb shkruan se ai i shkroi mbi 100 libra. Që të gjitha mbasi iku nga, e kjo e dhënë është indicie për të besuar se ai vetë nuk ka shkruar asnjë libër! Shqipëria. Dhe ky është një argument se ai nuk është as autor I romanit “Tradhtia”. Shtrohet pyetja, pse ky “autor” kurrë më, asnjëherë nuk shkroi diçka të përafërt me “Tradhtinë”. Autori i këtij libri, Fehmi Ajvazi, ia ka dale që të dokumentoi se gjatë viteve 1963-1970, sa kohë që ishte mësues historie në Lushnjë, e as pas 1991 nuk ishin në jetë autori apo autorët e romanit “Tradhtia”! Pra Kapllani shërben si publicist, shkrimtar dhe shkencëtar, ballkanolog dhe albanolog dhe si është e mundur që t`i publikon teoritë serbe që me argument të del nga goja e një shqiptari se “Shqiptarët nuk janë autokton në Ballkan dhe as trashëgimtarë të ilirëve”!

Kapllanin ky libër e nxjerr nga strofulli “lakuriq”!

Ajvazi dekonspiroi autorësinë e vërtetë të romanit “Tradhtia”

Terri i gjatë i diktaturës ka sjellë pas mungesën e hulumtimit, dëshmive, fakteve, të dhënave. Autori i hulumtimit, një zhanër i munguar në mes publicistikës e shkencës ia ka dalë që z. Ajvazi, të na sjellë në dorë një libër të rrallë në literaturën shqipe. Përkushtimi dhe guximi intelektual i autorit, Fehmi Ajvazi, për t’i hyrë një pune mjaft të vështirë, delikate, të pa lëvruar deri tani është për ta vlerësuar. Besoj se përveç rëndësisë historike studimi i tij ka rëndësi edhe për historinë e letërsisë. Autori ka depërtuar nëpër labirintet të rrezikshme të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë.

Libri në fjalë “Tradhtia e shumëfishtë”, është i llojit të veçantë, diku në mes argumentimit të spiunazhit dhe e krimit të organizuar kundër shqiptarëve në shekullin e pushtimit dhe robërisë serbe të Kosovës. Duke e lexuar këtë libër, lexuesi bindet me argumente se është një histori reale. Natyrisht se stili i shkrimit është brilant, por nuk i takon zhanrit artistik. Ajvazi në 313 faqet e librit, sjellë dritëhijet për Kapllan Resulin dhe e dekonspiron arkitekturën e agjenturës së shërbimit sekret ushtarak jugosllav kundër shqiptarëve në trojet e mbetura nën sundimin jugosllav.

Prishtinë, më 29 shkurt 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneti i ri i Kosovës, Franco Foda do të jetë…