Del para gjyqit në Kiev ushtari i parë rus për krime lufte

13 maj 2022 | 16:21

Një ushtar 21-vjeçar është bërë i pari rus që gjykohet për krime lufte në një gjyq në Kiev, këtë të premte.

Vadim Shishimarin do të dalë përpara gjyqit për krime lufte. Ai akuzohet për vrasjen e një 62-vjeçari në rajonin Sumy të Ukrainës, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm të vendit.

Siç është bërë me dije nga prokuroria, Shishimarin ka qëlluar për vdekje një civil të paarmatosur i cili ishte duke e drejtuar biçikletën përgjatë rrugës në fshatin Chupakhivka më 28 shkurt. Sipas prokurorit, trupat ruse hynë në fshat me një makinë të vjedhur që kishte rrotat e shpuara, shkruan “CNN”.

Kur panë një burrë që po shkonte me biçikletë në shtëpi derisa po fliste në telefon, njëri nga grupi urdhëroi rreshterin ta vriste me arsyen që të mos raportonte për ushtrinë ukrainase. Shishimarini dyshohet se ka qëlluar me kallashnikov disa herë përmes një dritareje të hapur të një veture në kokën e civilit, kanë thënë prokurorët.

Nëse shpallet fajtor, Shishimarin mund të dënohet nga dhjetë vjet burgim deri në burgim të përjetshëm.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të premten se ai nuk kishte “asnjë informacion” për rastin.

“Unë nuk kam informacion për këtë seancë gjyqësore apo për këtë rast. Nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Nuk kam fare informacion për këtë”, ka thënë Peskov gjatë një bisede të përditshme me gazetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pierre Cochard, ambasadori i Francës në Serbi ka thënë se…