Delegacioni i Kuvendit ndjek punimet e Asamblesë Parlamentare të KE-së

25 prill 15:14

Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE), i përbërë nga Xhavit Haliti, Ismet Beqiri, Aida Dërguti, Mufera Shinik dhe Gani Dreshaj, është duke qëndruar në Strasburg, ku po ndjek punimet  e Sesionit të Dytë të Rregullt, që po mbahet nga data 23-27 prill 2018.

Gjatë Sesionit, delegacioni ka takuar kryetaren e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, Ria Oomen-Ruijten dhe  Raportuesin për Kosovën, Jordi Roca.

Temë diskutimi në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, ishin zhvillimet aktuale në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës.

Çështjet e ngritura nga kryetarja e këtij komisioni ishin arrestimi i zyrtarit serb, Marko Gjuriq dhe deportimi i shtetasve turq.

Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës ka cekur të arriturat e Kosovës nga muaji janar, kur është mbajtur sesioni i parë i rregullt si dhe ka argumentuar arrestimin e Gjuriqit dhe deportimin e shtetasve turq.

Anëtarët e delegacionit nga Kuvendi i Serbisë kanë ngritur shqetësimet lidhur me arrestimin e zyrtarit të Qeverisë serbe, Marko Gjuriqit, gjatë qëndrimit në Kosovë dhe trajtimin e tij gjatë arrestimit.

Gjatë sesionit, në të cilin diskutohen raporte lidhur me çështjet aktuale me të cilat po përballet Evropa, adresuan ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Dimitrov dhe sekretari gjeneral i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland.

Tema lidhur me situatën në Kosovë do të diskutohet më 22 maj në takimin e këtij komisioni që do të mbahet në Athinë.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Jurgen Klopp nuk beson se Liverpooli e ka siguruar…