Deliu – Kodra: Raporti i KE-së tregon se 18 për qind e qytetarëve jetojnë me 1.5 euro në ditë

30 nëntor 2023 | 12:10

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu – Kodra, në seancën e sotme të Kuvendit ka folur në lidhje me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian (KE) për Kosovën.

Ajo ka thënë se raporti i sivjetëm i KE-së është ndër raportet më të dobëta ndonjëherë për vendin, ku sipas saj, në shumicën e sektorëve ka vërejtje dhe vlerësime të përsëritua vit pas viti.

Deliu-Kodra ka thënë se institucionet e Kosovës nuk i kanë trajtuar me përkushtim këto vërejtje dhe rekomandime të dala nga raporti i vitit të kaluar.

“Më duhet të them se ky raport e gjen Kosovën nën sanksione. 300 milionë euro është vlera e projekteve që i ka bllokuar BE-ja për shkak të sanksioneve që rëndojnë mbi Kosovën si pasojë e kësaj qeverie”.

“21 herë përmendet fjala ‘shqetësim’, tri herë përmendet togfjalëshi ‘shqetësim serioz’ e ndër të tjera përmendet edhe korrupsioni, 32 herë togfjalëshi ‘fazë fillestare’, 49 herë ‘progres i kufizuar’, tri herë përmendet ‘pak progres’, 30 herë ‘nuk ka progres’, 59 herë ‘pak progres’ dhe vetëm tetë herë togfjalëshi ‘progres i mirë’”.

“Pra, në 184 cilësime, 176 janë me progres jo të mirë dhe vetëm tetë me progres të mirë. Dhe një nga këto suksese, padyshim është reforma zgjedhore që e ka udhëhequr PDK-ja, ashtu siç edhe në të kaluarën, raporti i vitit të kaluar përmend miratimin e rregullores së punës së kuvendit, e cila është bërë për shkak të opozitës në këtë kuvend”, ka thënë Deliu – Kodra.

Më tutje, ajo ka përmendur edhe vlerësimin e këtij raporti në luftën ndaj korrupsionit, ku sipas saj është konstatuar se Kosova është në fazë fillestare dhe se është bërë progres i limituar.

“Si është gjendja në këtë drejtim, mund të kuptojmë se në raportin e këtij viti, fjala “korrupsion” është përmendur 99 herë. Më keq se kaq nuk ka qenë as në raportin e vitit 2020, ku është përmendur 88 herë. Në raportin e vjetëm, thuhet se Kosova ka bërë progres, kurse në raportin e sivjetëm, thuhet se ka progres të limituar”.

“Pothuajse në secilën faqe të këtij raporti i bie që s’ka punë që kjo qeveri e ka bërë e diku aty s’ka pasur pak korrupsion dhe këtë e shohim në raport. Edhe pse LV-ja dhe lideri i saj Kurti, siç e thoshin e kanë prioritet luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, po del që pikërisht në këtë fushë tash e tri vite nuk është bërë pothuajse fare progres”, ka thënë Deliu – Kodra.

Deliu – Kodra, ka thënë se për sa i përket çështjes së varfërisë, që ka qenë indikator bukur i rëndë brenda raportit, rreth 18 për qind e popullsisë së Kosovës jetojnë në pragun e varfërisë, me 45 euro në muaj apo 1.5 euro në ditë.

“Ky realitet i qytetarëve të Kosovës po ndodh në një moment kur një këshilltar i një ministreje të kësaj qeverie paguhet me 7 500 euro në muaj. Pra, ky super-këshilltar fiton më shumë se 167 qytetarë të Kosovës të cilët sot jetojnë me 1.5 euro në ditë”.

“Pra, kjo qeveri e paguan një këshilltar sa 13 paga të policëve të njësisë speciale, në një periudhë kur aktivitetet kriminale janë shtuar më shumë se kurrë në Kosovë e siguria e qytetarëve të Kosovës është më e cenuar se asnjëherë”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duken shifra marramendëse, por janë reale. Dikujt mund t`i duhet…