Demarkacioni “përplas” keq bashkëluftëtarët, Haradinajn dhe Selimin

23 mars 2018 | 18:49

Votimi i demarkacionit të martën me Malin e Zi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka shkaktuar një përplasje në mes të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ka mjaftuar përmendja e kësaj çështje nga deputeti Selimi për ta nervozuar kryeministrin Haradinaj.

“Është evidente që pas miratimit të marrëveshjes së pardjeshme, rruga për në Mal të Zi është shkurtuar më shumë, madje është shkurtuar për disa kilometra. Dua ta konfirmoj edhe një herë që unë nuk iu kam gëzuar kësaj, nëse dikush iu ka gëzuar kësaj, janë ata që atë ditë në këtë sallë pas ratifikimit duartrokitën dhe u përqafuan me njëri-tjetrin, kurse, sa i përket asaj që t’i nxjerrim rrugët, ato që na janë marrë i nxjerrim por rrugët që i kemi dhënë vetë kurrë më nuk do të mund t’i nxjerrim”, ka thënë Selimi.

Pas kësaj deklarate ka reaguar kryeministri Haradinaj duke akuzuar rëndë Rexhep Selimin.

“Ka diçka shumë interesant që dua t’ua them. Rexha është shumë i mençur. Prej që ia ka nisur lëvizjes për liri, është aktiv, por therë nuk i ka hy. Njëmend nuk i ka hy therë Rexhep Selimit, ka shpëtuar vetë, edhe pas luftës ka shpëtuar mirë, nuk e ka bërë asnjë ditë burg, asnjë problem nuk i ka ndodhur…por prit veç pak, ti po thua që për pak ditë pushtet e kam shitur tokën, ti je rrenc i madh, ti ke qëndruar në Shqipëri je shëtitur para luftës, gjatë luftës dhe pasluftës. Je ulur afër këtij burri për vota, ky ka për ta parë që ke me lënë këtë shpejt”, i tha Haradinaj, deputetit Selimi.

Debati dhe akuzat në mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetit Rexhep Selimi nuk u ndalën edhe kur kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ia tërhoqi vërejtjen kryeministrit të ketë kujdes me fjalorin.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi ka thënë se nuk e kupton kryeministrin Haradinaj pse është kaq nervoz në seancë. “Sa i përket asaj që nuk më ka hy asnjë therë në këmbë, unë besoj që nuk të vjen keq për këtë punë se mua nuk më ka hy asnjë therë, por shumë prej therave i kemi kaluar bashkë. Pra, unë e ti Ramush. Nuk e di sa thera i kanë hy Hashimit që tash je në koalicion me të, por thera kemi kaluar bashkë unë e ti. Kurse, sa i përket a jam i mençur, po dukem goxha i mençur, në momentin kur nuk e kam votuar Qeverinë tënde, sepse po ta votoja Qeverinë tënde do të ndihesha përgjegjës për atë çka ka ndodhur pardje”, ka deklaruar Selimi.

Kryeministri Haradinaj ka reaguar sërish, duke e pyetur deputetin Selimi nëse është i sigurt që për pak ditë në pushtet e ka shitur tokën, derisa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sërish ka ndërhyrë duke e lutur që të kthehen në temë për hir të shoqërisë gjatë luftës.

Ky debat i ashpër mes Selimit dhe Haradinajt u bë gjatë debatit për shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Autostradës Kijevë-Zahaq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje të thellë për…