Dënimi i krimeve të komunizmit, sfidë për Kuvendin e Kosovës

03 qershor 12:47

Me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëbimin e forcave okupatore, terroriste serbe, krahas lirisë kombëtare, në Kosovë u krijuan kushte edhe për vendosjen e pluralizmit të vërtetë politik dhe demokratik. Por, mjerisht, edhe sot, simbolet e totalitarizmit komunist jugosllav që ende rëndojnë mbi kokat e qytetarëve, qëndrojnë në këmbë përpara institucionit ligjvënës. Këto simbole, që takujtojnë tmerrin dhe mizorinë e së kaluarës, nuk do të shkulen që aty derisa në Kuvendin e Kosovës, në qeverinë e saj, në shërbimin civil, në polici, në gjyqësi, në pushtetin lokal etj., qëndrojnë “kuadro” që, duke i shërbyer në të kaluarën me përkushtim e devotshmëri regjimit komunist-titist, ia kanë zgjatur vuajtjet popullit shqiptar dhe jetën atij regjimi më gjakatar që ka njohur historia jo vetëm e Kosovës

Nga: Ismet HAJRULLAHU

Dënimi i krimeve të komunizmit jugosllav është tejet i domosdoshëm jo vetëm për t’u distancuar dhe për ta dënuar sistemin e kaluar totalitar por është, gjithashtu,obligim dhe respekt për të gjithë të rënët, të vrarët prapa shpine, ku vetëm në zonat e ndryshme tëPrishtinës si në Tokbahqe, Velani, Parku i Gërmisë janë të mbushura përplot me varre masive.

Do të ishte një lehtësim shpirtëror edhe për ish të burgosurit politikë që u dergjën burgjeve të diktaturës komuniste jugosllave, të internuarve e të gjithë të keqtrajtuarve nga organet e UDB-së dhe KOS-it, si dhe të spastrimit etnik, ku në marrëveshje mes Jugosllavisë titiste me Turqinë (1951-1956), u shpërngulën e u dëbuan qindra mijëra shqiptarë drejt Anadollit.

Në të gjitha vendet e lindjes ku sundonte komunizmi ishte i instaluar aparati i dhunës që ndëshkoi, persekutoi, burgosi me mijëra qytetarë, por komunizmi jugosllav i maskuar deri në përsosmëri mbas teorisë së “famshme” vetadministrimit socialist, ushtroi dhunë të egër e terror në shkallë gjenocidi ndaj popujve joserbë, e veçanërisht ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën pushtimin jugosllav.

Me luftën e lavdishme Çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëbimin e forcave okupatore, terroriste serbe, krahas lirisë kombëtare, në Kosovë u krijuan kushte edhe për vendosjen e pluralizmit të vërtetë politik e demokratik. Por, mjerisht edhe sot, simbolet e totalitarizmit komunist jugosllav që ende rëndojnë mbi kokat e qytetarëve, qëndrojnë në këmbë mu përpara institucionit ligjvënës. Këto simbole që ta kujtojnë tmerrin dhe mizorinë e së kaluarës nuk do të shkulen që aty derisa në Kuvendin e Kosovës, në qeverinë e saj, në shërbimin civil, në polici, në gjyqësi, në pushtetin lokal etj., qëndrojnë “kuadro” që, duke i shërbyer në të kaluarën me përkushtim e devotshmëri regjimit komunist-titist, ia kanë zgjatur vuajtjet popullit shqiptar dhe jetën atij regjimi më gjakatar që ka njohur historia, jo vetëm Kosovës.

Këta ish-komunistë, qe i shohim në krye të partive politike, të ulur në karriget e tempullit të demokracisë, e bashkë me ta edhe pinjollë të regjimit titisto-rankovcist, baballarët e të cilëve menjëherë pas instalimit të regjimit diktatorial, vranë Haki Tahën, vranë pas shpine Xheladin Hanën, Rifat Berishën, Gjon Sereqin si dhe shumë antifashistë e antikomunistë të tjerë, mjerisht edhe sot vazhdojnë të luajnë rol me rëndësi në jetën politike – ekonomike – mediale të Kosovës.

Sot edhe pas shtatë vjetëve, që kur u dëbuan forcat pushtuese nga territori i Kosovës, është krejtësisht e pakuptimtë se si në Kuvendin e Kosovës asnjëherë nuk është marrë iniciativa për ta dënuar terrorin masiv, që komunizmi jugosllav për pesëdhjetë vjet e ka ushtruar mbi popullin shqiptar.

Mosdënimi publik i krimeve të komunizmit jugosllav nga ana e Kuvendit të Kosovës është një shenjë e keqe, një ogur i zi për të ardhmen e Kosovës. Derisa në tërë botën demokratike, si dhe në vendet e ish-bllokut të lindjes, ku është vendosur demokracia, janë dënuar krimet e diktaturave të komunizmit, tek ne ende i bëhet bisht kësaj çështjeje.

Nomenklatura e sotme, pavarësisht që, para faktorit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar, bën be e rrëfe se është demokratike e mirëfilltë, duke i ikur dënimit të së kaluarës së errët komuniste, e rendit Kosovën përkrah shteteve më diktatoriale, siç është sot Bjellorusia.

Mosdënimi i skllavërisë moderne mund të kuptohet për dy arsye: e para, ngase institucionet e Kosovës janë të mbushura përplot me ishbashkëpunëtorë të shërbimit famëkeq të UDB-së, diktaturës komuniste-jugosllave dhe, e dyta, nga oportuniteti i disa liderëve partiakë, të cilët jo vetëm që ia hapën dyert e partive për personat personifikues të komunizmit titistë në emër të masivizimit të partisë, por edhe iu krijuan hapësira të mëdha që të futen dhe të drejtojnë institucione dhe organizma me rëndësi shoqërore dhe kombëtare.

Ky nënshtrim ndaj përfaqësuesve të skllavërisë komuniste jo vetëm se nuk i shërben ndërtimit të një sistemi demokratik në Kosovë, por është pengesë për t’u shkëputur nga e kaluara e errët dhe për t’i dënuar krimet e komunizmit jugosllav të cilat për qytetarët e Kosovës janë ende plagë të freskëta.

Partitë politike, organizatat joqeveritare, të cilat punojnë për të drejtat e njeriut, në veçanti Shoqata e të Burgosurve Politikë, si dhe qytetarët e Kosovës, nuk duhet të qëndrojnë indiferente ndaj kësaj çështjeje, por duhet t’i bëjnë presion Kuvendit për t’i dënuar krimet e barbarisë komuniste, i cili është zbatuar me egërsinë më të madhe në Kosovë gjatë spastrimit të “reaksionit ballist” para dhe pas 1945-s, gjatë aksionit famëkeq të armëve në vitin 1956, gjatë dëbimeve masive për në Turqi dhe nëpër vendet e ndryshme të botës, si dhe gjatë terrorit dhe masave barbare të vitit 1968, 1981 e më vonë.

Prandaj nisur nga këto fakte është, para gjithash,obligim njerëzor e kombëtar që Kuvendi i Kosovës në frymën e dy rezolutave të Bashkimit Evropian përdënimin e krimeve ë komunizmit dhe hapjeve të dosjeve t’i zbatojë rezolutat e saj, duke nxjerrë një rezolutë për dënimin e krimeve pesëdhjetëvjeçare të komunizmit jugosllav në Kosovë.

Me këtë rast, Kuvendi po ashtu duhet të nxjerrë një ligj për kompensimin material të të burgosurve politikë, për pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve të të gjitha periudhave, si dhe për ata që u dëbuan dhunshëm nga vendi, duke lënë mbrapa varret e të parëve dhe pronat e tyre. Kuvendi i Kosovës nuk mund të mbetet edhe më tej mriz ku “mrizojnë” kriminelët e titizmit!

(Ky artikull është publikuar në disa nga mediat e shkruara në vitin 2006)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot këshilltarët…