Deputetët dyshojnë në procesin e prokurimit në KEK, bordi e pranon se kishte keqmenaxhim

24 maj 2022 | 12:11

Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen Financiare, Hykmete Bajram, ka thënë se gjetjet nga auditori në KEK janë tepër shqetësuese, pasi ka dhjetëra kontrata të firmosura me negocim të drejtpërdrejt dhe mungesë të transparencës.

Bajrami ka thënë se në atë periudhë janë shpenzuar 181.5 milionë euro, prej tyre rreth 60 milionë euro me kontrata të negociuara, gjë që ka shkaktuar kontrata më të shtrenjta.

Ajo ka numëruar kontratat, edhe sa i përket blerjes se kushinetave, të cilat sipas saj kanë qenë të dëmshme për buxhetin e KEK-ut.

Ndërsa kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nuk ka mohuar të gjeturat nga auditori, por ka thënë se nuk merr përgjuesi, pasi që në krye të KEK-ut ka ardhur në tetor të vitit 2021.

Ani se nuk e ka marrë përgjegjësinë për gjetjet e autorit në periudhën 2018-2020, ai ka thënë se neglizhenca ka ndikuar që KEK-u të “zhytet” në këso lloj kontrata të negociuara.

Edhe Skender Haziri, kryesues i boridit të KEK-ut, ka thënë se nuk ka informata të plota për aktivitetet e prokurimit që kanë ndodhur në periudhën 2018-2020, por ka premtuar se bordi i ri do të marrë masa për përmirësimin e prokurimit në KEK.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, raportin e prokurimit në KEK e ka vlerësuar si mjaft të keq dhe shqetësues. Sipas tij, procesi i prokurimit në KEK është i dyshimtë.

Po ashtu, gjatë raportimit, ka pasur një përplasje verbale ndërmjet deputet të PDK-së, Hajdar Beqa dhe Halil Thaçi nga LV-ja.

Deputeti Beqa ka thënë se deputeti Thaçi ka pasur ndikim në konkursin e fundit në KEK, derisa ky i fundit ka mohuar, duke thënë se këto janë shpifje.

Kryeshefi dhe bordi i KEK po vazhdojnë të raportojnë në komisionin në fjalë lidhur me prokurimin në këtë ndërmarrje. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Sot më 24 Maj 2022, bëhen 30 vjet…