Deputetët kërkojnë që Qeveria ta zgjidhë problemin faturimit të energjisë elektrike në veri të Mitrovicës

20 prill 2021 | 14:53

Dy kërkesa i ka shqyrtuar Komisioni parlamentar për Ekonomi, atë të KOSTT-it dhe “Kosova Thëngjillit”, për rrymën e shpenzuar në katër komunat e veriore, e siç u tha për mospagimin e saj nga ana e qytetarëve me shumicë serbe në atë pjesë.

Kjo dukuri u konsiderua nga deputetët shqetësuese, që tash e më shumë se 20 vjet për qytetarët me shumicë serbe në ato komuna, janë ndarë dhjetëra milionë euro nga Qeveria ose kanë paguar qytetarët tjera të Kosovës për ata.

Lidhur me rritjen e shpenzimit të energjisë në veri të Mitrovicës, deputetja Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar të hetohet çështja se si në veri, konsumi i energjisë elektrike për këtë vit është rritur për 20 për qind, përderisa nuk ka shtim të aktivitetit ekonomik dhe rritje të popullsisë.

Deputetja Kusari-Lila ngriti dyshime për konsum ilegal të energjisë e cila paguhet nga Qeveria e Kosovës, dikur direkt nga qytetarët.

“Në katër komuna të Kosovës ne kemi një vrimë të zezë , e cila ende vazhdon të shkaktojë disbalancë, në këtë rast tek KOSTT-i. Ky konsum i pa mbuluar në veri, por edhe të kërkojmë nga organet e sigurisë dhe nga organet e rendit që të bëjnë hetimin mbi rritjen e konsumit të vazhdueshëm në veri. Informatat aktuale të konsumit në veri tregojnë se në veri të Republikës së Kosovës është rrit konsumi i energjisë. Ne nuk kemi pasur shtim të popullsisë në veri, nuk kemi pasur zyrtarisht shtim të aktivitetit ekonomik, që do të thotë se kemi ilegalisht shtim të konsumit të energjisë. Kush është duke konsumuar rrymën në veri”, theksoi ajo.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala për këtë tha se kjo është përgjegjësi e Qeverisë që ta zgjidhë këtë problem në veri dhe ofrojë mbështetje si komision, por sipas tij, ende nuk ka plan qeverisës nga kjo Qeveri.

Për këtë arsye, ai propozojë që të ftohet në raportim KOSTT dhe ministrja e Ekonomisë.

“Për të gjitha shkeljet, dhe ato të cilat u ngritën, hapi i parë duhet të jetë Qeveria. Pra, ne ende nuk kemi as një plan konkret se çka po ndodhë me disktarët e zhvillimit ekonomik, derisa të na vije plani i Qeverisë, unë propozoj ta vizitojmë edhe KOSTT-in dhe ta kemi në takim edhe ministren. KOSTT-i me sa e pashë i ka adresuar të njëjtat shqetësime edhe ekzekutivit dhe ne t’i bashkëbisedojmë me dy institucionet të cilat duhet ta zgjedhin direkt këtë problem”, theksoi Shala.

Deputeti Driton Hyseni nga VV theksoi se nuk ka në as një vend në botë që një pjesë e qytetarëve paguan rrymën qytetarëve të tjerë, kurse një pjesë tjetër jo, siç është rasti në veri.

Mirëpo, tha se duhet ketë parasysh edhe nevojën që mos të rrezikohet dalja e Kosovës nga rrjeti evropian i transmisionit.

“Sigurisht që duhet të dalim nga kjo situatë për arsye se është një privilegje që mendoj se nuk i takon asnjë qytetari që të privilegjohet më mirë në raport me qytetarët e tjerë. Mirëpo, duhet ta kemi parasysh edhe nevojën që në asnjë formë një dalje të Kosovës nga rrjeti evropian i transmisionit. Nuk besoj që e gjen në vend të botës ku njëra pjesë e qytetarëve paguan rrymën qytetarëve të tjerë dhe pastaj tendenca e shpërdorimit të energjisë është duke u rritur vazhdimit në atë pjesë (veri)”, tha Hyseni.

Deputeti Pal Lekaj tha se ky komision e ka përgjegjësinë që çdo kërkesë ta trajton sikurse edhe kjo për diskriminin e pagimit të energjisë në veri.

Është e vërtet që ne bëjmë diskriminim ndaj një pjese të qytetarëve, ata që shpenzojnë ne i pagjumë dhe ata s’japin llogari askujt. Mendoj se tani i keni numrat ju si Qeveri(pozitë), mund të veproni dhe ne ju mbështesim. Kjo dukuri negativ të ndërpritet sa më parë, ne s’kemi mundur, sepse ka pasur probleme, marrëveshje politike që përmenden”, tha Lekaj.

Edhe deputeti Armend Muja nga VV, tha se është palogjikshme që shteti të vazhdojë t’ua paguajë faturat komunave veriore.

Komisioni vendosi që për mbledhjen e radhës, javën e ardhshme në komision të raportojnë për këtë çështje KOSTT, ministrja e Ekonomisë dhe Kosova Thëngjilli.

Ndërsa, rreth fushëveprimit, këtij komisioni për veç mbulimit të punës së dy ministrive, asaj të Ekonomisë, Industrisë, Tregtisë Ndërmarrësisë, këtij komisioni iu shtua edhe pjesa e monitorimit dhe trajtimit të MSA-së. /KP/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marigona Bici është një nga artistet më të reja të…