Deputeti maqedonas i LSDM-së e lavdëron Talat Xhaferin: Në mandatin e tij u anëtarësuam në NATO
Darko Kaevski, deputet maqedonas i LSDM-së, partisë e cila qeverisë në koalicion me partinë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, BDI-në, ka shprehur mbështetjen e partisë së tij për zgjedhjen e Talat Xhaferit kryeministër të qeverisë teknike.
Ai e ka lavdëruar Xhaferin në fjalën e tij në Kuvendin maqedonas, për të cilin tha se ka dhënë kontribut “në një kohë me sfida të mëdha”.
“Xhaferi ka dhënë kontributin e vet në një kohë me sfida të mëdha. Në mandatin e tij u miratuan vendime shtetërore për ardhmërinë e vendit dhe për ruajtjen e standardit të qytetarëve. Me vendimet e tij dhe me forcat proevropiane në Kuvend, në vitet e kaluara u bëmë anëtare e NATO-s, pas 17 vjet pritje filluam negociatat për hyrjen në BE”, ka thënë Kaevski.
Ai ka thënë se “nuk do të lejojmë një skenar destruktiv që të ketë sukses”, ndërsa ka parashikuar se VMRO-DPMNE do t’i humbasë zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
“Qeveria e ardhshme do të jetë proevropiane”, ka thënë ai.
Pas diskutimit, deputetët e Maqedonisë së Veriut pritet ta zgjedhin qeverinë teknike me në krye Talat Xhaferin. Kjo qeveri do të jenë në detyrë derisa të pasohet nga qeveria e re me mandat të plotë, e cila do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit.



