Deri kur do ta mbajë Shqipëria në kurriz këtë klasë parapolitike?

13 janar 2020 | 11:12

Nga Bedri Islami

Nuk besoj se ka diku tjetër një klasë politike më të vjetër, më hipokrite, zhvatëse dhe pjesë e oligarkisë financiare, si kjo në vendin tonë.

Në 30 vjet pluralizëm kjo klasë politike u kalcifikua, u rrënjos dhe është vetëshpallur baballare e kombit kur, në fakt, janë rrëmihësit e jetës së tij.

Një tabor politik, që u është veshur partive të mëdha, për të qenë pjesë e politikës, pra e zhvatjes dhe për të dërdëllitur nëpër ekranet TV, sikur ata dhe vetëm ata, janë më të diturit, më të ndershmit, më të aftët…

Në fakt, më shumë se nga kushdo tjetër, prej tyre vjen e keqja e këtij vendi. Ata ishin diktatura mbi demokracinë dhe mbetën të tillë.

Kjo klasë politike kërkon me ngulm të njëjtin sistem zgjedhor, listat e mbyllura, vendet e tyre të sigurta në parlament, ku gjithnjë kanë qenë bisht i dikujt dhe lehës ndaj dikujt tjetër.

Pallavrat e tempujve të mykur të partive kanë bërë që të ngrihen resorte përrallash në vendet më të hijshme të vendit, të krijohen blloqe parajsore dhe të gjitha përmes vjedhjeve, përvetësimit dhe jo pak herë krimit.

Klasa e tashme politike, ndërsa luan ditën lojën e luftës, në darkë shtriqet në të njëjtin shtrat politik sepse përmes këtij shtrati pa divorc janë të gjitha: pushteti i Njëshit, që zgjedh me dorën e tij deputetët që do ai dhe që paguajnë për të qenë deputetë, që largon mendjen dhe afron krimin, që i shpall të huaj akademikët dhe i pranon oligarkët.

Një sistem zgjedhor që, qoftë përmes listave të mbyllura apo të hapura (shikoni rastin e Kosovës) oligarku, i forti, beniamini i shefit do të lulëzojë, sepse tashmë krimi është bërë i pranishëm… ai ka fituar pushtetin e pestë, të padiskutueshmin, atë të parasë…

Kur do ta ketë Shqipëria klasën politike që meriton?

Askush nuk e di! Në fakt, ne kemi aktualisht një klasë parapolitike, të deformuar dhe pak të dinjitetshme.

Nuk është një fenomen i ri. Është ripërsëritje e asaj që ka shkuar dhe që, nesër, mund të jetë përsëri.

Në 108 vjet shtet të pavarur ajo që i ka munguar më së shumti këtij vendi ka qenë klasa politike e lidhur me fatin e tij.

Ka ndodhur në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, duke tejshkuar të gjitha dhe po ndodh tani në qeverinë e dytë të Edi Ramës. Asnjëra prej tyre, në këto 30 vjet,  nuk ka qenë më e rrezikshme dhe fatkobe sesa qeverisjet e Berishës, por kjo nuk është alibi për të tjerat!

30 vjet pluralizëm treguan se edhe në sistemin e tashëm, ashtu si monarki, në republikë parlamentare, në republikë presidenciale, në protektorat, në qeveri kuislinge, nën regjencë, në diktaturë të proletariatit, mungesa më e madhe është klasa politike.

Është vuajtur gjithnjë për një klasë politike dhe  elitare, të frymëzuar nga besimi, ndaj së cilës, as oborri monarkik, as i regjencës, as i dualizmit, as i Republikës, as i tashëm, të kishte ndikim mbi ta.

Gjithnjë në kërkim të një klase politike dhe qeverisje të urtë, që nuk influencohen as nga joshjet, as nga frikësimet, as nga terratitë, por që të ushtronin me kryelartësi privilegjin për të krijuar dhe miratuar ligje të drejta dhe të zbatueshme, që kritikonin pushtetin qeverisës dhe ku, pasi kishin thënë mendimin e tyre pa frikë dhe guximshëm për çka ndodh në shtet, pavarësisht se kush i ka deleguar, ushtrojnë të drejtën e tyre për t’i kontrolluar shtetarët e lartë dhe për t’iu larguar ato.

Në tridhjetë vjet pluralizëm, më shumë se mend dhe rrugështrirje vizionesh kemi dëgjuar sharje, mallkime, lëpirje, kurrizulje, bastisje, denigrime.

Po të ishin të vërteta ato që ka thënë Berisha për Ilir Metën, ky i fundit nuk do të kishte dalë kurrë nga burgjet e rëna!

Po të ishin të vërteta ato që ka thënë Berisha për Ramën, ky i fundit do të ishte në fillimin e burgimit të tij pafund!

Nëse do të ishin të vërteta çfarë ka thënë Meta për Berishën dhe familjen e tij, e gjithë familja ish-kryeministrore do të ishte, ose në arrati, ose në një lëmsh burgu që nuk do të merrej vesh!

Nëse do të ishin të vërteta se çfarë ka thënë Rama për Berishën, familjen e tij dhe njerëzit rreth tij, ajo familje nuk do të ishte askund!

E njëjta gjë ka ndodhur në “duelin” Berisha-Nano, Rama-Meta, Meta-Basha, Majko-Berisha, Nano-Berisha, Pollo- Berisha, Ceka-Berisha, Kryemadhi-Rama, Vasili-Basha, një lëvizje uliksiane e pafund!

Ndoshta të gjitha ishin të vërteta dhe duhet saktësuar se shumë prej tyre ishin të vërteta! Pasuria marramendëse dëshmon se e vërteta ishte hapur e dukshme, por ndëshkimi frikshëm i fshehur!

Klasa politike u pasurua, u zvetënua, hodhi poshtë çdo mirësi, çdo vizion të së ardhmes, çdo trashëgimi të së shkuarës.

Të njëjtët që ngritën monumentet e heronjve të luftës, po ngritin tani monumentet e vrasësve të tyre! Ata që në dhjetor 1990 bënë hapin e parë të lirisë, tani nuk janë. Nga 338 themelues të PD-së, në strukturë ka mbetur vetëm një sundues i tyre, Berisha. Thuajse të gjithë pjesët e kryesisë së PD-së së tashmë vijnë nga familje të regjura komuniste, ndërkohë që duan t’i nxjerrin sytë e parlamentarëve anash tyre për të njëjtën gjë!

Skalioni i dytë komunist bëri “demokratizimin” e vendit dhe ngritën në piedestal Hijen e sunduesit.

Sa ishin në një stan dhe ose synonin të bëheshin të një stani, ia kanë fërkuar plagët njëri-tjetrit, i kanë shkuar për dreka e darka në prag të gjyqeve, i kanë lëpirë fjalët e tyre, rasti Berisha-Nano dhe Berisha-Meta; Rama-Meta dhe Pollo-Berisha; e sapo janë ndarë i janë vërsulur qenërisht njëri-tjetrit, për t’u bashkuar rishtas nën një sinjal të ri pushteti!

Njoh figura të pastra pushtetare, që kanë qenë zëvendëskryeministra, ministra, drejtues institucionesh të rëndësishme, që tani jetojnë si gjithë të tjerët, pinë kafenë e lirë, bisedojnë për libra dhe shkencë, por që pasardhësit e tyre i quajnë të pazotë, të aftë, të mjerë, sepse… nuk zgjodhën rastin për të qenë pranë sunduesit dhe pjesë e logorisë së tij!

Institucione të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat monitorojnë Shqipërinë, disa herë, fuqishëm, janë përpjekur ta gjejnë mesin e artë në politikën shqiptare dhe duket se nuk kanë njohur si duhet trashëgiminë gjenetike shqiptare, atë të mercenarizmit. Dhe të sunduesit!

Sunduesi i këtyre 30 vjetëve bëri të zakonshme sundimin e quajtur demokraci; mashtrimin si provë gjenialiteti, vjedhjen si dinakëri, kapjen e shtetit si pushtet suprem i domosdoshëm, sovranitetin si lojë fjalësh!

Liderët e tashëm kanë më dëshirë që masat të fillojnë e të tërbohen, të godasin, të pushtojnë, dhe arsyeja të errësohet, sesa të qeverisin pas mendimit dhe idesë!

Tri të katërtat e parlamentarëve janë anonimë! Liderët janë të njëjtët, por vatha e tyre ka ndryshuar! Brenda tufës së liderëve mbetet i paprekshëm vetëm sunduesi i tyre! Hosana për të!

Secili që merr pushtetin, nga lider kthehet në sundues!

Përpara vullnetit të sunduesit parlamentet, qeveritarët, zyrtarët nganjëherë bëjnë ndonjë vërejtje të përulur, ndonjëherë murmuritin, por kurrë nuk kundërshtojnë!

Atëherë, çfarë na duhen 140 murmëritës deputetë, 20 ministra, nja 50 zëvendës të tyre, drejtorë të mëdhenj e të vegjël, kur pakkush mendon me kokën e tij dhe të gjithë tundin kokën si e tund sunduesi?!!

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 e kanë ligjëruar sundimin e Njëshit mbi turmën, i kanë zaptuar mendjet, kanë vendosur pushtetin suprem të Njëshit mbi mendjet e pavarura dhe largimin e tyre.

Kjo ka ndodhur shpeshherë, por kurrë si në 30 vjetët e fundit! Sepse tani, si kurrë më parë, liria është shpallur ligjërisht e lirë, por praktikisht është e burgosur!

Viti 2008 ngriti prangimin e lirisë dhe legjitimoi Njëshin, sunduesin!

Viti 2020 duhet ta fillojë heqjen e prangave! Të bëjë njerëzor njëshin dhe ta heqë sunduesin! Është e vështirë të kemi menjëherë Prijësin, por le të kthehemi, të paktën, te lideri!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ajo është një nga këngëtaret më të famshme. Rita Ora,…