Deri në vitin 2030, Kosova synon të ulë papunësinë e grave dhe të rrisë pjesëmarrjen e tyre në punë
Drejtoresha ekzekutive e Agjencia për Barazi Gjinore/ Zyra e Kryeministrit, Edi Gusia, po merr pjesë në Forumi për Ekonominë e Kujdesit në Evropë dhe Azi Qendrore 2026, i organizuar nga UN Women Europe and Central Asia në Stamboll të Turqisë.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum të nivelit të lartë riafirmon përkushtimin institucional të Qeverisë së Republikës së Kosovës për avancimin e barazisë gjinore dhe ndërtimin e politikave të qëndrueshme të ekonomisë së kujdesit, si komponent kyç i zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.
Në kuadër të Forumit, Gusia kontribuoi në diskutimet strategjike mbi ekonominë e kujdesit, përfshirë panelin për lokalizimin e agjendës së kujdesit dhe takimin e mbyllur me delegacionet qeveritare lidhur me Planin Udhëzues për zhvillimin dhe zbatimin e Agjendës së Veprimit për Kujdesin 2026-2030.
Gjatë diskutimeve, u theksua qasja proaktive e Kosovës në integrimin e çështjeve të kujdesit në politikat publike dhe në prioritetet kombëtare për barazi gjinore dhe zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës, përfshirë avancimin e kornizës ligjore përmes miratimit të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.
Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të avancojë politika që synojnë fuqizimin ekonomik të grave, rritjen e pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës dhe krijimin e mekanizmave mbështetës që adresojnë barrën disproporcionale të punës së papaguar të kujdesit.
Në këtë drejtim, institucionet e Kosovës kanë intensifikuar përpjekjet për forcimin e kornizës ligjore dhe institucionale, zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, si dhe zgjerimin e masave aktive të punësimit dhe shërbimeve sociale për gratë dhe grupet në nevojë.
Për periudhën 2026-2030, Kosova është zotuar për veprime konkrete dhe të matshme në tri fusha prioritare: rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës përmes programeve të synuara të punësimit dhe ndërmarrësisë; zgjerimin e qasjes së grave dhe vajzave në arsim dhe aftësim në fushat digjitale dhe STEM; si dhe forcimin e zbatimit institucional të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në të gjitha institucionet e nivelit qendror.
Deri në vitin 2030, Kosova synon të reduktojë më tej papunësinë e grave dhe të rrisë pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore përmes politikave gjithëpërfshirëse të punësimit, zhvillimit të aftësive dhe mbështetjes për bizneset e udhëhequra nga gratë.
Gjatë Forumit u theksua se investimi në ekonominë e kujdesit, krahas së qenit çështje e barazisë sociale, është edhe investim strategjik për zhvillimin ekonomik, rritjen e punësimit, mirëqenien familjare dhe kohezionin shoqëror. Në këtë kuadër, Kosova mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe organizatat rajonale për të përshpejtuar progresin drejt barazisë substanciale gjinore dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.
Forumi shërbeu gjithashtu si platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave rajonale, forcimin e partneriteteve dhe koordinimin e angazhimeve të përbashkëta për zhvillimin e sistemeve të integruara dhe të qëndrueshme të kujdesit në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.



