DËSHMI RRËNQETHËSE PESHA NË SUPET E SYZIFIT, DËSHMIA QË NUK DIGJET DHE HIRI QË FLET

30 prill 2026 | 21:32

(Lidhur me romanin dokumentar me titull “Revolta e Syzifit” të autorit Bardhyl Mahmuti, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”)

Ismet Rashiti

Romani dokumentar “Revolta e Syzifit” i Bardhyl Mahmutit është një vepër e fuqishme që ndërthur dëshminë historike me rrëfimin artistik, duke sjellë para lexuesit një nga tragjeditë më të rënda të luftës në Kosovë: masakrën e Poklekut dhe krimin makabër në shtëpinë-krematorium të familjes Muqolli nga Pokleku.
Struktura e romanit, e ndarë në tri pjesë – prologu, epilogu dhe “Albumi i dhembjes” – krijon një ritëm të veçantë rrëfimi, ku faktet historike ndërthuren me përjetimin emocional. Në qendër të veprës është figura simbolike e Syzifit, që përfaqëson në mënyrë të fuqishme barrën e rëndë të kujtesës dhe dhimbjes kolektive. Ky Syzif nuk është thjesht mitologjik, por mishërohet në figurën reale të Fadil Muqollit, një luftëtar i UÇK-së, i cili mbart mbi supe tragjedinë familjare dhe kombëtare.
Përmes një gjuhe të zgjedhur dhe njëkohësisht shumë prekëse, autori arrin të rindërtojë me besnikëri faktet tronditëse: vrasjen dhe djegien e 26 fëmijëve, 5 të rinjve dhe 20 grave, si dhe ekzekutimin e Sinan Muqollit dhe të poetit për fëmijë, Ymer Elshanit. Këto episode nuk trajtohen vetëm si statistika tragjike, por si histori njerëzore që mbeten të gjalla në ndërgjegjen kolektive.
Vlera kryesore e romanit qëndron në balancën mes dokumentares dhe artistikes. Bardhyl Mahmuti nuk bie në patetikë të tepruar, por i lejon faktet të flasin vetë, duke i dhënë lexuesit mundësinë ta përjetojë dhimbjen në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Albumi i dhembjes” shndërrohet kështu në një arkiv të gjallë kujtese, ku secila viktimë merr dimension njerëzor dhe moral.
Në përfundim, “Revolta e Syzifit” nuk është vetëm një roman dokumentar, por një akt kujtese dhe një thirrje për drejtësi. Ai dëshmon se letërsia mund të jetë një formë rezistence ndaj harresës, duke e kthyer dhimbjen në dëshmi dhe kujtesën në përgjegjësi kolektive.
Duhet theksuar se Bardhyl Mahmuti, me librat dhe romanet e tij dokumentare, dallohet për stilin e mbështetur në fakte, dokumente dhe dëshmi konkrete, duke sjellë një pasqyrim të drejtpërdrejtë të ngjarjeve historike. Në këtë mënyrë, ai ka demaskuar të gjitha gënjeshtrat e Serbisë, duke pasqyruar me fakte realitetin dhe gjenocidin e shtetit serb ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë.
Nga ana tjetër, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” po bën një punë jashtëzakonisht të madhe dhe profesionale për argumentimin e gjenocidit serb para faktorit ndërkombëtar.
Fotot:
1. Kopertina e romanit dokumentar “Revolta e Syzifit”. Pikturë nga Agim Sula.
2. Fadil Muqolli duke mbledhur me grushte hirin dhe copëzat e shkrumbuara të eshtrave të familjarëve të vet dhe të atyre që u vranë dhe u dogjën mizorisht në shtëpinë-krematorium.
3. Ora e djegur e kryefamiljarit Sinan Muqolli, e gjetur nga djali i tij, Fadil Muqolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka…