Dëshmi të tmerrshme për masakrën e Krushës rrëfehen në Gjykatën e Prizrenit

20 shtator 2018 | 22:48

I akuzuari për krime të luftës, Darko Tashiq do të dalë nesër para Gjykatës Themelore të Prizrenit për të dëgjuar rrëfimet e dëshmitarëve për krimet për të cilat akuzohet se kreu në Kosovë në mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Në gjykimin ndaj Tashiqit do të vazhdojë dëshminë dëshmitari Kasum Hajdari, i cili u mor në pyetje nga prokurorja Drita Hajdari në seancën e mbajtur më 13 shtator.

Hajdari është paraparë që në seancën e nesërme të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës të Tashiqit.

Në dëshminë e tij Hajdari tregoi se në vitin 1999 kishte qenë 27 vjeç dhe se në fshatin e tij krahas komunitetit shumicë shqiptarë kishte edhe serbë e romë dhe se banorët njiheshin mes vete dhe se raportet ishin të mira.

Por si duket raportet e mira nuk mbetën të tilla pas fillimit të bombardimeve nga NATO më 24 mars 1999.

Dëshmitari Hajdari para Gjykatës tregoi se si natën e 24 marsit 99 kishte qenë në shtëpinë e tij së bashku me familjen e tij teksa filluan dyndjet e policisë e ushtrisë serbe në fshatin e tyre.

“Rreth orës 4 të mëngjesit dëgjoheshin zhurma të mëdha, pas gjysmë ore ne i pamë dhe i përcollëm se ishin forca ushtarake policore serbe, të shtuara shtesë edhe forca tjera për shembull rezervistët. Pastaj filluan krismat e mitralozave, tankeve, minahedhësve dhe rreth orës 5 u futën ushtria nëpër shtëpitë tona dhe filluan të na tubojnë në një vend pastaj pas një ore ka qenë një maltretim i policisë, bënin pyetje se a kemi armë në shtëpi, filluan të na kontrollojnë, grave t’u marrin dukatin”, përshkruhet në procesverbalin e seancës së 13 shatorit që e ka siguruar “kallxo.com”.

Sipas dëshmitarit, në mesin e këtyre ushtarëve dhe policëve ka pasur edhe serbë nga fshati Krushë e Vogël dhe ata ishin të identifikueshëm.

“Po ka qenë Darko Tashiq, Sveta Tashiq vëllai i tij si dhe babai i tij Sreçko”, u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitari Hajdari, para Gjykatës tha se kishte parë me sytë e tij se si Darko Tashiq merrte sendet nga grupi ku ishin rreth 40 persona, në mesin e të cilëve edhe gra, pleq e fëmijë.

Pas, kësaj dëshmitari rrëfeu se datën e 24 marsit kishin qenë të mbyllur dhe të ndarë në dhoma përkatëse burrat dhe gratë në shtëpinë e Malush Hajdarit dhe vetëm të nesërmen ishin liruar në mëngjes.

“Erdhi komandanti i Policisë i cili u paraqit se vjen nga Subotica, ka qenë përgjegjës i grupit policor dhe bëri disa pyetje, bëri njëfarë plani se nga do të ikim dhe na i propozuam se këndej është fshati Bregu i Drinit, Çollak”, thuhet në përgjigjen e dëshmitarit të përshkruar në procesverbalin e seancës.

Teksa ishin duke u larguar, dëshmitari Hajdari tha se kishte parë të akuzuarin Darko duke i marrë gjërat e tyre siç ishin frigoriferët, orenditë të ndryshme, mjetë të punës, tepihë por jo vetëm këto.

“Edhe automjetin Passat ma ka marrë, automjetin tjetër Golf 1. Passatin pas luftës e kam gjetur në oborrin e tij që ishte i dëmtuar ndërsa Golf 1 ka qenë afër oborrit të tij. Golfi ka qenë i aksidentuar në shtyllë”, përshkruhet përgjigja e dëshmitarit në procesverbalin e seancës.

Përpos sendeve të tij, dëshmitari tha se Tashiq ka marrë edhe një kombi ngjyrë portokalli që ishte i një fqinji të tij, dhe se pas luftës ai automjet ishte gjetur në shtëpinë e tij.

Hajdari tha se gjatë kësaj kohe kishte parë Darkon e veshur me rroba të punës ushtarake, vëllain e tij të veshur me uniforma ndërsa babai i tyre nuk kishte uniformë.

Përveç grabitjes së gjësendeve e veturave, dëshmitari Hajdari tha se para se te tuboheshin kishte parë edhe 6 burra shqiptarë që i kishte fqinjë dhe që i kishin sjellë në një shtëpi fqinje.

“Aty kam deri sa i kanë sjellë tek shtëpia e Çollakut, respektivisht shtëpia e Selim Çollakut dhe i kanë mbështetur për muri, i kanë maltretuar duke i rrahur me grushte e shqelma”, citohet deklarata e dëshmitarit në procesverbalin e seancës.

Gjatë gjithë kësaj ngjarje, sipas dëshmitarit Hajdari kishin ndihmuar edhe Sveto dhe Sreçko Tashiq që kishin udhëzuar policinë duke iu treguar se ku t’i vendosin.

“Këta i kanë ndihmuar se ku t’i vendosin, duke bërë me dorë, duke ju shpjeguar se kjo është një shtëpi, kjo është stalla. Pas pak këta të dy janë larguar dhe i kanë futur në stallën e lopëve 6 personat dhe pasi që i kanë futur brenda pas 5-10 minuta janë dëgjuar krisma automatike dhe pastaj kanë dalë policia nga stalla dhe e kanë djegur stallën dhe ne e kemi kuptuar se ka ndodhur diçka serioze”, citohet deklarata e dëshmitarit në procesverbalin e seancës. Dëshmitari tha se kjo ngjarje ka ndodhur më 25 mars ndërsa gjitha ngjarjen e kishte parë nga një distancë prej 50-60 metra ku ishte i vendosur në odën e tij në katin e dytë së bashku me babanë e tij të ndjerë.

Të nesërmen e kësaj dite dëshmitari para Gjykatës tregoi se ishin larguar dhe kishin mbërritur te shtëpia te Bregu i Drinit rreth orës 11 të ditës ndërsa aty kishin qëndruar 4 ditë, për t’u zhvendosur pastaj në Shqipëri.

Por, para se të zhvendoseshin për në Shqipëri, Hajdari tregoi se kishin qenë dëshmitarë të një ngjarjeje të tmerrshme.

“Më së shumti që na ka shqetësuar kemi qenë kur ka ardhur një kamion i kuq me ceradë dhe është futur në rrugën e Drinit dhe e njihnim se ky kamion ka qenë i një personi të Krushës së Madhe. Ne dolëm në rrugë që t’i ndihmojmë këtij kamioni pasi që ne e dinim se ku kalohet Drini dhe se kamioni e kishte gabuar dhe në buzë të lumit u ndal”, citohet deklarata e dëshmitarit në procesverbalin e seancës.

Dëshmitari tregoi se kanë provuar të afrohen te kamioni pasi që janë frikësuar se do të mbytet por pasi ishin afruar rreth 100 metra kishte ardhur një kombi-bus ngjyrë portokalli nga i cili kishin dalë ndër të tjera edhe Darko Tashiq, Sveta Tasiq, babai i tyre Sreçko dhe bashkëpunëtori i tyre Sava me dy policë që nuk ua dinte emrin dhe pasi kishin parë këtë zhvillim ishin fshehur.

Hajdari tregoi se në këtë rast, përveç tij kishte qenë dëshmitar edhe Kadri Emerllahu dhe se kishin qenë afërsisht 70 metra ndërsa ngjarja ishte rreth orës 15:00 të pasditës së 26 marsit 1999.

I pyetur se kush e voziste kamionin dëshmitari tha se ishte Darko Tashiq ndërsa ishte i uniformuar dhe i armatosur ndërsa tregoi tmerrin që pa me sy më pas.

“Të gjithë kanë pasur armë dhe kanë gjuajtur pasi që e kanë shty kamionin në ujë. Aty ka pasë kufoma, janë dëgjuar britma dhe kanë filluar që ta futin kamionin në ujë ndërsa pjesa tjetër e prapme ka mbetur jashtë dhe e kanë marrë bagerin dhe e kanë shty me bager nga mbrapa dhe e kanë futur në ujë”, citohet deklarata e dëshmitarit në procesverbalin e seancës.

Duke rrëfyer ngjarjen e tmerrshme që kishte përjetuar, Hajdari tha se pasi që nuk kanë mundur ta shtyjnë kamionin në ujë në tërësi pastaj kishin filluar ta djegin pjesën që kishte mbetur jashtë dhe pas 10-15 minuta ishin larguar nga aty.

Pikërisht kombi-busin e portokalltë që kishte qenë në vendin e ngjarjes, dëshmitari thotë se pas luftës e gjeti në shtëpinë e Darkos.

Pasi ishte kthyer nga Shqipëria, dëshmitari tregoi se kamioni ishte ende në vendin ku kishte qenë edhe pas 3 muajsh por niveli i ujit ishte më i ngritur.

“Kemi tentuar ta tërheqim kamionin por aty ka qenë një mbikëqyrës i UNMIK-ut dhe ai nuk na ka lënë për shkak të verifikimit pasi që paraprakisht e ka njoftuar pronarin e kamionit se aty mund të ketë kufoma dhe pastaj po ai mbikëqyrës i UNMIK-ut e konstatoi se aty mund të ketë mbi 45 kufoma”, citohet deklarata e dëshmitarit në procesverbalin e seancës.

Në fjalën e tij hyrëse, Tashiq është deklaruar i pafajshëm, duke mohuar pretendimet e Prokurorisë Speciale.

Tashiq akuzohet se ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999 në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari” në Krushë të Vogël të Prizrenit, në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhjen në shkallë të gjerë të pasurisë.

Sipas aktakuzë e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin K.H. si dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, Tashiq, akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm që nuk justifikohej me nevoja ushtarake sikurse dhe sulmit të rëndë dhe/ose mizor ndaj dinjitetit njerëzor.

Pika tjetër, e akuzës që rëndon ndaj Tashiq është po ashtu për krime të luftës.

Data ndërmjet 26 dhe 27 marsit 1999 shënon kohën që sipas aktakuzës, Tashiq si pjesëtar rezervë i Policisë së Jugosllavisë së bashku me kryes të tjerë të forcave të MPB-së, mori pjesë në përdhosjen e trupave të pajetë të një numri personash të paidentifikuar duke i djegur ata trupa të pajetë në mënyrë të paligjshme/ose duke kërkuar shkatërrimin e tyre duke i hedhur ata trupa në mënyrë të pahijshme në lumin Drin në një vend që ndodhet jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Me këto veprime sipas aktakuzës Tashiq ka kryer sulm të rëndë dhe/ose mizor ndaj dinjitetit personal dhe njerëzor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Studimet tronditëse që tregojnë se mikroplastika është gjithandej, duke ndotur…