Dëshmitari Abazi thotë se UÇK-ja kurrë nuk ka pasur gjykatë ushtarake

30 prill 2024 | 13:22

Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke vazhduar dëshminë Nuredin Abazi, i cili ka deklaruar se nuk ka pasur gjykatë ushtarake gjatë kohës së luftës, kur ai ka shërbyer si këshilltar juridik në Zonën Operative të Pashtrikut.

Këtë deklarim, dëshmitari e ka bërë të martën në ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk ka pas ndonjëherë Gjykatë Ushtarake dhe as që është krijuar ndonjëherë ndonjë gjykatë ushtarake, sa e di unë. Gjykatë ushtarake nuk ka pas askund në Kosovë pasi që për themelimin e një gjykate ushtarake janë dashtë kushtet e veçanta, të cilat atëherë na kanë munguar dhe kemi qenë të pazotë që ta krijojmë një gjykatë të tillë pasi ofensivat nuk na kanë lanë me e çuar kokën. Nuk kemi menduar diçka rreth asaj përveçse me u mbrojtur dhe me marrë pjesë në aksione”, ka thënë Abazi.

Më tutje, ai ka thënë se gjykatë ushtarake edhe sot nuk ka pas 25 vitesh paqe.

“Nuk jemi duke mundur me e themeluar tani Gjykatën Ushtarake e lëre më atëherë në kushte të luftës. Prapë po e ceki, sa e di unë kurrë nuk kam dëgjuar për Gjykatë Ushtarake dhe as nuk ka pas Gjykatë Ushtarake”, ka thënë dëshmitari Abazi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmë është hapur ekspozita “Abetare” e artistit kosovar Petrit Halilaj…