Dëshmitari në Hagë: Pas luftës Thaçi punoi me LDK-në për të mirën e Kosovës

12 shtator 2023 | 14:48

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), dëshmitari i 24-të (me kodin 4255) ka pohuar se Thaçi ka punuar pas luftës krah për krah me të dhe pjesëtarë të LDK-së për të mirën e Kosovës.

Këtë deklaratë ai e ka thënë duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe. Fillimisht, seanca ka qenë private dhe pyetjet lidhur me veprimtarinë e pas luftës, avokati Kehoe i ka bërë në seancë publike.

Dëshmitari vetëm e ka pohuar atë që ka thënë avokati Kehoe dhe atë se në vitet 2001-2004 Thaçi si kryetar i PDK-së është bashkuar me Ibrahim Rugovën, duke e lënë Bajram Rexhepin të bëhet kryeministër i Kosovës.

Thaçi ishte ai që e ka mbështetur Rugovën të bëhet president dhe se në vitet 2004-2007 ishte opozitë me PDK-në u pajtuar të bëhej me ekipin e Ibrahim Rugovës për të bërë negociata për statusin e Kosovës sa ishte gjallë Rugova, e që më pas ky grup është kryesuar nga një udhëheqës tjetër i LDK-së, Fatmir Sejdiu dhe se ka punuar me të ndonëse ishte në opozitë.

Më tutje është thënë se në vitet 2007-2010, Thaçi ka fituar zgjedhjet parlamentare dhe është bërë kryeministër, por se ka ftuar LDK-në për t’iu bashkuar në koalicion për të formuar qeverinë dhe se Fatmir Sejdiu është bërë president i Kosovës.

Në vazhdim është thënë se në vitet 2014-2017 kur Thaçi kishte fituar zgjedhjet e kishte marrë LDK-në si pjesë të koalicionit duke ia dhënë pozitën e kryeministrit Isa Mustafës, ndërkohë vet ishte bërë zëvendës i Mustafës dhe se në vitin 2016, kur është zgjedhur president, LDK-ja ka votuar në favor të tij.

Si përfundim, dëshmitari ka pohuar se tërë këtë periudhë Thaçi ka punuar krah për krah me të dhe pjesëtarë të LDK-së për të mirën e Kosovës. Pas kësaj, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga mbrojtja e Veselit, konkretisht nga avokati Ben Emmerson.

Ai  ka lexuar një pjesë nga deklarata e dhënë e dëshmitarit për ZPS-në dhe atë kur ishte pyetur se në periudhën e 1998-1999 a e ka njohur Kadri Veselin, ishte përgjigjur ‘‘atë se ka njohur kurrkush’’ dhe se në pyetjen nëse gjatë konfliktit kishte dëgjuar ndonjëherë për të është përgjigjur:  ‘‘Jo, asnjëherë”.

Sipas dëshmitarit, këto përgjigje janë të sakta dhe të vërteta. Kurse, në momentin kur avokati donte të bënte pyetje në bazë të hartës ku përfshihet zona përgjegjëse e dëshmitarit, me rekomandim edhe të prokurorit special, James Pace, seanca ka kaluar në sesion privat me qëllim që të mbrohet dëshmitari.

Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ata janë duke u mbajtur në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.  Katërshja e UÇK-së është deklaruar e pafajshme në raport me akuzat me të cilat është ngarkuar nga ZPS-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona të maskuar nën kërcënimin e mjetit të fortë…