DËSHMORI I KOMBIT AGIM RASHITI NË DEMONSTRATËN E 27 MARSIT 1989 NË GJILAN E UJITI ME GJAKUN E TIJ TOKËN E KOSOVËS

28 mars 2023 | 22:11

Ismet Sylejmani

Më 27 Mars 1989 në Gjilan, ishte demonstrata e parë e zhvilluar pas atyre që kishte organizuar gjenerata e Heronjëve të Kombit Rexhep Malaj dhe Kadri Zeka, dhe e udhëheqësve të medhenj Hydajet Hyseni, Nazmi Hoxha, Bejtullah Tahiri, por edhe e shumë të tjerëve, figura të ndritura e personalitete të mëdha e të shquara të popullit tonë!

Demonstratës së 27 Marsit në Gjilan, me gjakun e Tij, vulën e pashlyer ia dha djaloshi sypatrembur, Dëshmori i Kombit Agim Rashiti!

Ashtu si edhe në të gjitha qytetet e Kosovës, edhe në Gjilan më 27 Mars 1989, në organizim dhe udhëheqje të LPK-së, në krye të së cilës ishim bashk me Heroin e Kombit Xhevat Qerimi dhe shokë të tjerë, u organizua një nga demonstratat më të fuqishme dhe më të mëdhatë, jehona e të cilës u dëgjua në tërë hapësirën shqiptare!

Në oborrin e spitalit regjional të Gjilanit, kriminelët e goditën për vdekje, dhe aty pranë njerëzve që kuroheshin nga smundje të ndryshme njerëzore, Agimi derdhi gjakun e Tij, duke dëshmuar para tërë botës se çdo pëllëmbë e Kosovës duhet të lahet me gjak, madje edhe oborret e spitaleve ku mantelbardhët luftojnë për çdo çast me vdekjen që u kanoset njerëzve të rëndomtë, vdekje që u vjen nga zoti!

Gjilani i 27 Marsit të vitit 1989 ishte qerdhe jo e vetme e lirisë të gjeografisë së Kosovës!

Ashtu si edhe në qytetet tjera të Kosovës, edhe qyteti i Gjilanit jehonte e gjëmonte me thirrje për largim të Serbisë nga Kosova!

Kërkonte liri dhe pavarësi populli shqiptar i Gjilanit, ashtu siç kërkonte i gjithë populli shqiptar i Kosovës dhe viseve të saja!

Kundër tërë asaj që ngjante në demonstratat gjithëpopullore në Kosovë, ku mbrohej dhe kërkohej mosndryshimi i Kushtetutës së Kosovës, ku ju dilnim zot të drejtave tona legjitime dhe kërkonim më shumë të drejta që na takonin, eskadronet kriminale serbe, ishin dalur hapur para popullit me tanke e autoblinda, derdhnin gaz lotsjellës, ushtronin dhunë e terror, dhe rrahnin e torturonin pamëshirshëm gjithë ata që arrinte t’i kapte dhe shumë nga ata i burgosi dhe i denoi me muaj e vite burg!

Gjaku i derdhur i Dëshmorit të Kombit Agim Rashiti, bashkë me gjakun e qindra dhe mijëra Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit, me ata që ishin të plagosur nëpër beteja të ndryshme të frontit të gjerë jo vetëm të armatosur të luftës për demokraci, liri e pavarësi nga Serbia pushtuese, është në themelet e shtetit të ri dhe të pavarur të Republikës së Kosovës!

Lavdi Dëshmorit të Kombit Agim Rashiti!

Prishtinë, 28.03.2023!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll pas një dominimi më në…