Dhjetë autoambulanca dhe 100 shtretër, ndihma e radhës e BE-së për Kosovën

05 qershor 2020 | 13:03

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka pranuar sot kontingjentin e tretë të pajisjeve mbrojtëse nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në vlerë prej 5 milionë eurove.

Kjo mbështetje vjen në kuadër të fazës së tretë të shpërndarjes së donacionit, si mbështetje për parandalim dhe mbrojtje nga Covid-19.

Në ceremoninë e dorëzim-pranimit të donacionit morën pjesë; Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë, Basri Sejdiu, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, zyrtarë të BE-së në Kosovë, por edhe mjekë dhe përfaqësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante.

Në donacion përfshihen 10 autoambulanca, 100 shtretër dhe pajisje të tjera.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar BE-në për këtë donacion, duke shprehur se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe do të ketë edhe donacione të tjera.

Drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu, ka thënë se këto 10 autoambulanca janë të mirëpritura dhe do të ndihmojnë në lehtësimin e punës së profesionistëve shëndetësorë.

Sipas tij, ky donacion vjen në kohën më të duhur dhe shumë të nevojshme.

Samir Selimi, menaxher i projektit në zyrën e BE-së, ka pohuar se ky donacion është në vazhdën e ndihmës që BE-ja po i jep Kosovës në luftën ndaj pandemisë.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli argjentinas Lionel Messi kishte pësuar një lëndim ditën e…