Dhjetëra persona të vdekur nga shpërthimi në një xhami në Afganistan

08 tetor 2021 | 14:55

Të paktën 100 persona kanë vdekur dhe janë plagosur si pasojë e një shpërthimi në një xhami në veri të Afganistanit të premten, i cili ka shënjestruar besimtarët myslimanë shiitë, ka thënë një zyrtar policor taliban, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.

Zyrtari Dost Mohammad Obaida, zëvendës-shef policor për provincën Kunduz, ka thënë se “shumica e tyre janë vrarë”.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, i cili ka ndodhur në qytetin Kunduz, kryeqytetin e provincës me të njëjtën emër, mirëpo militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), kanë histori të gjatë të sulmeve kundër minoritetit shiit mysliman të Afganistanit.

Nëse këto shifra konfirmohen, kjo do të shënojë shifrën më të lartë të viktimave në një sulm, prej largimit të forcave ndërkombëtare nga Afganistani në fund të muajit gusht, dhe prej kur talibanët kanë marrë pushtetin.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë se xhamia shiite ka qenë shënjestër dhe një “numër i madh” i besimtarëve janë vrarë dhe janë plagosur.

Ai ka thënë se forcat speciale të talibanëve kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar incidentin./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Miss World Holanda” i ka dhënë lamtumirën eksperiencës së saj…