Dhoma e Përfaqësuesve autorizon hapjen e hetimit për shkarkimin e Bidenit

14 dhjetor 2023 | 10:28

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka votuar për të autorizuar nisjen e një hetimi për gjykimin e presidentit Joe Biden, duke përshkallëzuar betejën e republikanëve me demokratët, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, përmes një veprimi që vetë Biden e ka dënuar si manovër “të pabazë”.

Republikanët, duke shfrytëzuar akuzat ndaj të birit të Bidenit, Hunter, për marrëveshje kontroverse ndërkombëtare, nuk kanë paraqitur ende dëshmi për korrupsion nga presidenti, ndërsa Senati, i udhëhequr nga demokratët, nuk pritet të dënojë atë, edhe nëse hetimi çon drejt një gjykimi për shkarkimin e tij nga posti, raporton Rel.

Megjithatë, procedura u garanton republikanëve një platformë të re dhe të lartë për ta sulmuar Bidenin, teksa ai po garon për rizgjedhje në post – dhe për ta larguar vëmendjen nga gjykimet për krime me të cilat po përballet sfiduesi i tij pothuajse i sigurt, Donald Trump, raporton AFP.

Votimi – me 221 vota për dhe 212 kundër – u zhvillua sipas linjave partiake, teksa secili republikan votoi për nisjen e hetimit, ndërsa çdo demokrat votoi kundër.

Konservatorët akuzojnë djalin e Bidenit, Hunter, për ushtrim ndikimi në këmbim të parave – duke shfrytëzuar emrin e familjes gjatë marrëveshjeve të tij biznesore në Ukrainë dhe në Kinë.

Akuzat ndaj Hunter Bidenit iu referohen incidenteve që kanë ndodhur para se babai i tij të bëhej president, dhe Shtëpia e Bardhë ngulmon se nuk ka pasur ndonjë veprim antiligjor.

Vetë Biden ka reaguar menjëherë pas votimit në Dhomë, duke akuzuar republikanët se po ngurrojnë në fronte kyçe – si financimi i qeverisë – përderisa po harxhojnë energji në sigurimin e pikëve politike para zgjedhjeve.

“Në vend se të bëjnë ndonjë gjë për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së amerikanëve, ata janë përqendruar te sulmet ndaj meje, me gënjeshtra”, ka thënë Biden nëpërmjet një komunikate.

“Në vend se të bëjnë punën e tyre për çështje urgjente që duhet të kryhen, ata kanë zgjedhur të humbin kohë në këtë manovër të pabazë politike, që edhe republikanët në Kongres e pranojnë se nuk është e mbështetur me fakte”, është shprehur presidenti amerikan.

Republikanët ngulmojnë se procesi është i arsyetuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Premtuan spektakël në Anglinë e largët dhe atë dhuruan. “Djajtë”…