Dhoma e Përfaqësuesve voton për shkarkimin e Trumpit

13 janar 2021 | 23:42

Ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar të mërkurën rezolutën për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Kongresit nga një turmë e mbështetësve më 6 janar.

Trump është presidenti i parë në historinë amerikane ndaj të cilit janë kryer dy tentime për largim nga zyra.

Rezoluta për shkarkim është miratuar nga 232 ligjvënës, derisa 197 të tjerë kanë votuar kundër.

Përveç demokratëve, dhjetë republikanë kanë votuar po ashtu në të mirë të shkarkimit të Trumpit.

Pas këtij hapi, Senati do të duhet të zhvillojë një seancë gjykimi, çka potencialisht mund t’ia ndalojë Trumpit edhe kandidimin e sërishëm për president.

Dy të tretat e Senatit, të udhëhequr nga republikanët, nevojiten për të dënuar dhe larguar Trumpin nga zyra, që nënkupton se të paktën 17 republikanë duhet t’iu bashkohen demokratëve kundër presidentit në Senatin me 100 ulëse.

Lideri i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell, i ka thënë demokratit Chuck Schumer se ai nuk ka gatishmëri për të organizuar seancë urgjente për të shqyrtuar largimin e Trumpit nga zyra, pas përfundimit të procedurave në Dhomën e Përfaqësuesve, ka thënë një zëdhënës i McConnellit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vazhdimeve, Juventus arrin që të fitojë me rezultat 3-2…