Dhuna në familje alarmante në Kosovë, 75 për qind e viktimave janë gra

31 mars 2026 | 15:20

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues në Kosovë, ndërsa në 75 për qind të rasteve viktima janë gratë. Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me temën: “Një vlerësim mbi trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje: Si u trajtuan gjatë vitit 2025?”.

Koordinatorja për dhunën në familje në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, ka vlerësuar se reagimi institucional ndaj këtij fenomeni nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe moral e shtetëror. Në këtë kontekst, prokurorja Pula ka theksuar se dhuna në familje është një sfidë serioze për shtetin e së drejtës.

“Unë konsideroj se dhuna në familje është një nga sfidat më serioze të shtetit të së drejtës dhe një provë reale për funksionimin e drejtësisë penale në çdo shoqëri demokratike. Të gjithë pajtohemi se ajo nuk ndodh në hapësira publike, nuk zhvillohet para kamerave, por ndodh në heshtje, pas dyerve të mbyllura, aty ku viktima shpesh mbetet e vetme përballë frikës, presionit dhe dhunës së vazhdueshme. Prandaj, reagimi institucional ndaj dhunës në familje është më se i domosdoshëm dhe nuk është vetëm detyrë ligjore, por edhe detyrim moral e shtetëror. Mund të themi se në Kosovë prokuroria përfaqëson mekanizmin kyç të reagimit të shtetit, së bashku me Policinë e Kosovës”, ka thënë Pula.

Përkundër faktit se sistemi i drejtësisë ka bërë përmirësime në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, sipas drejtoreshës ekzekutive të GLPS-së, Njomza Arifi, ende mbeten sfida.

“Dhuna në familje vazhdon të mbetet shqetësim në Kosovë dhe shumica e viktimave janë gra. Këto janë edhe të gjeturat e raportit tonë. Ndonëse ka pasur përmirësime ndër vite sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial, ende ka probleme dhe sfida strukturore që kërkojnë vëmendje të mëtejshme, si nga sistemi ashtu edhe nga institucionet e tjera”, ka thënë Arifi.

Ndërsa menaxheri i projektit, Liridon Salihi, ka deklaruar se forma më e përhapur e dhunës në familje është ajo ndaj grave, e cila përbën 75 për qind të rasteve. Sipas tij, sfidë mbetet zbatimi i legjislacionit ekzistues.

Ai ka shtuar se numri më i madh i rasteve të raportuara të dhunës në familje vjen nga rajoni i Prishtinës.

“E gjetura kryesore nga ky raport është se dhuna në familje mbetet një fenomen shqetësues që prek të gjitha grupmoshat e shoqërisë, nga fëmijët deri te personat e moshës së shtyrë. Forma më e përhapur e dhunës në familje është dhuna ndaj grave. Sipas të dhënave, rreth 75 për qind e viktimave janë gra, ndërsa 25 për qind janë burra. Kosova ka një kornizë të konsoliduar ligjore për mbrojtjen dhe parandalimin e këtij fenomeni, por sfidë kryesore mbetet zbatimi në praktikë i legjislacionit ekzistues”, ka thënë Salihi.

Më tutje, ai ka theksuar se raporti tregon se sfiduese mbetet politika ndëshkimore, ku vetëm në 14 për qind të rasteve shqiptohet dënimi kumulativ. Sipas tij, një sfidë tjetër për gjyqësorin janë edhe seancat e anuluara për shkak të mungesës së të pandehurve.

“Ajo që mbetet sfiduese është politika ndëshkimore. Rreth 87 për qind e akteve akuzuese të prokurorive konfirmohen nga gjykatat dhe përfundojnë me aktgjykime dënuese, çka paraqet një efikasitet të lartë të punës së prokurorisë. Sa i përket gjykatave, vetëm 14 për qind e të akuzuarve marrin dënim kumulativ, gjobë dhe burgim, siç parashikon Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të cilët deklaruan se gjykatat i trajtojnë me urgjencë rastet e dhunës në familje. Raporti i GLPS-së tregon se moshat më të prekura janë 20–50 vjeç, ndërsa në 50 për qind të rasteve dhuna ndodh mes çifteve, pa përjashtuar edhe raportet e tjera familjare. Raporti “Një vlerësim mbi trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje: Si u trajtuan gjatë vitit 2025?” është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfshin rastet e dhunës në familje nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka ndarë një fotografi…