Dialogu është me interes për Kosovën, qeveria ta heqë tarifën pa kushte

07 mars 2020 | 11:15

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka ftuar Qeverinë e Kosovës që ta heqë taksën ndaj mallrave serbe ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) pa asnjë kusht.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar seraporti me ShBAnë apo një marrëveshje Kosovë Serbi është e rëndësishme se çfarëdo efekti që mund të japë tarifa apo reciprociteti.

Murati ka treguar se qeveria nuk duhet të hezitojë, por duhet të hyjë në procesin e dialogut.

Ai ka shprehur optimizëm se marrëveshja përfundimtare do ta përfshijë ripërcaktimin e kufijve e jo variantin me autonomi territoriale për serbët në Kosovë. Sipas tij, varianti i dytë do të ishte katastrofal për Kosovën.

“Epoka e re”: Z. Murati, kryeministri Albin Kurti ka propozuar heqjen e pjesshme të tarifës ndaj produkteve serbe. Si e keni parë këtë propozim të tij, i cili nuk është përkrahur nga partnerja qeverisëse, LDK-ja?

Murati: Së pari më duhet të sqaroj se cili është qëndrimi im në raport me taksën 100 % (apo më mirë thënë tarifën) për mallrat serbe. Ashtu si edhe në paraqitjet e tjera publike, po ashtu edhe tek ju në disa intervista e kam përkrahur këtë masë si një veprim politik në një moment të caktuar e i cili veprim politik ka pasur edhe disa efekte anësore ekonomike. Sidoqoftë, ka qenë qëndrim i LB-së se tarifa si një masë e drejtë duhet të mbahet vetëm për aq sa nuk i dëmton raportet me aleatët tanë e sidomos me ShBA-në dhe shtetet kryesore evropiane si dhe nuk e dëmton procesin e arritjes së marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në momentin në të cilin jemi, tarifa tash e një kohë është duke i dëmtuar te dy këto procese. Andaj tani kam bindjen e plotë se tarifa duhet të hiqet pa asnjë kusht sepse raporti me ShBA-në, posaçërisht një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, është më e rëndësishme se çfarëdo efekti që mund të japëtarifa apo edhe ndonjë politikë tjetër e reciprocitetit. Në këtë funksion konsideroj se qeveria Kurti duhet ta heqëtarifën dhe guximshëm të futet në procesin e dialogut. Të gjitha indikacionet janë që kjo politikë e heqjes së pjesshme të tarifës është pjesë e një hezitimi të thellë që ka kryeministri Kurti për t’u futur në procesin e dialogut. Ky hezitim si duket burimin e ka te droja se marrëveshja vetëm ka marrë udhë dhe ai vetëm duhet t’ia bëj aminin. E, po ashtu, hezitim që lidhet me pozicionet e mëhershme të kryeministrit në raport me dialogun dhe zgjidhjet e mundshme që mund të dalinprej këtij dialogu. Të mos harrojmë se ai e ka luftuar shumë si asociacionin e komunave serbe, po ashtu ka dalë kundër edhe mundësisë së ripërcaktimit të kufijve në mes të dy vendeve. Ndërsa të gjitha gjasat janë që këto dy opsione (madje ky i pari jo më si asociacion,por si autonomi politike-territoriale e serbëve brenda Kosovës) janë të vetmet në tavolinën e bisedimeve. Unë mendoj se kryeministri i Kosovës duhet t’i marrë përgjegjësitë e veta dhe duke u bërë pjesë e procesit t’i shpërfaqë edhe qëndrimet e veta mbi zgjidhjet e mundshme dhe t’i rezistojë apo shtyj konceptet e tij brenda dialogut e jo ta pengojë, apo ta prolongojë atë përmes tarifës. Në anën tjetër më duket e paarsyeshme propozimi i kryeministrit për heqjen e pjesshme të taksës pa marrëveshje me partnerin qeverisës, e sidomos duke pasur parasysh fuqinë e këtij partneri brenda qeverisë dhe Kuvendit, por edhe të qëndrimit të tyre rreth kësaj çështjeje.

“Epoka e re”: Siç e kemi parë në debatin parlamentar, as pozita dhe as opozita nuk janë unike për taksën. Si duhet të veprohet për këtë çështje?

Murati: Ne kemi një situatë absurde kur dy parti politike, njëra në pozitë (LDK-ja) e tjetra në opozitë (PDK-ja) janë më afër në qëndrime për këtë çështje sesa që LDK-ja është me LV-në, apo PDK-ja me AAK-në dhe Nismën. Në përgjithësi kemi një amulli në skenën politike të krijuar nga qëndrime jo shumë të qarta të partive politike. Kjo paqartësi rrjedh nga fakti se të gjitha po duan të zënë një pozicion të favorshëm në njërën anë në opinionin publik dhe te votuesit e në anën tjetër në raport me faktorin ndërkombëtar,posaçërisht me amerikanët. Po të mendonin më shumë për Kosovën sesa për veten, partitë tona kaherë do ta kuptonin se Kosova ka interes nga dialogu më shumë se të gjithë të tjerët, e do të bashkoheshin që të shfrytëzonin këtë rast të angazhimit të madh amerikan për dialogun dhe do të ndërtonin një platformë të përbashkët që do ta shtynin në bisedime. Nëse do të kishim një vetëdije të tillë kombëtare për rëndësinë e momentit, ne sot as nuk do të diskutonim për çështjen e tarifës, por për rezultatet e bisedimeve. Sidoqoftë, ne jemi në këtë gjendje që jemi dhe në situatën aktuale Qeveria e Kosovës do duhej ta hiqte taksën pa ndonjë kushtëzim shtesë dhe të bëjë përpjekje që në proces e sipër të krijojë një unitet brendashqiptar në Kosovë për bisedimet.

“Epoka e re”: ShBA-ja dhe BE-ja nuk kanë folur me një zë për propozimin e kryeministrit Kurti. ShBA-ja mosheqjen e taksës e ka vlerësuar si gabim serioz. A po rrezikohen raportet Kosovë-ShBA?

Murati: Në thelb të dyja palët kanë kërkuar që tarifa të hiqet tërësisht, por BE-ja dhe një pjesë e shteteve evropiane kanë qenë të interesuara ta inkurajojnë kryeministrin që ta bëjë edhe hapin e heqjes së tërësishme të tarifës, duke e përshëndetur propozimin për heqjen e pjesshme të tarifës. Nuk ka dyshim se ka një ngërç në mes të ShBA- dhe BE-së, ngërç që përsëritet herë pas here në raportet e tyre, dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos prishim raportet me aleatët tanë. Por ne duhet të jemi njëkohësisht të vëmendshëm se forca e cila mund të imponojë një zgjidhje, e cila mund ta detyrojë edhe Serbinë ta njohëKosovën, e cila mund ta bindë edhe Rusinë që të mos na pengojë në KS të OKB-së për t’u bërë anëtar të OKB-së, nuk është BE-ja, por ShBA-ja. Sidoqoftë, unë jam i bindur se amerikanët dhe evropianët, e sidomos gjermanët, francezët e britanikët do ta gjejnë mënyrën dhe rrugën e bashkëpunimit në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sa i përket rrezikimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe ShBA-së, unë nuk kam drojën se këto marrëdhënie mund të ftohen në aspektin thelbësor sepse nuk e kemi luksin ta bëjmë një gjë të tillë e as forcën. Pra, edhe po të duam ne, ose ndonjë qeveri e jona, ShBA-ja nuk prishet me ne. Po, mund të ndodhë që një qeveri e caktuar t’i ftohëmarrëdhëniet, por në rrethanat në të cilat është Kosova,një qeveri e tillë nuk e ka jetën e gjatë. Çështja e dialogut me Serbinë (dhe ajo e demarkacionit me Malin e Zi) si dhe marrëdhënia me ShBA-në e ka rrëzuar qeverinë Mustafa, çështja e dialogut dhe tarifae, po ashtu, marrëdhëniet me ShBA-në i ka rrëzuar në një mënyrë ose tjetër edhe qeveria Haradinaj dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me qeverinë Kurti. Pra,më parë ka largim të qeverisë sesa prishje me ShBA-në. Përderisa ftohje të përkohshme mund të ketë. Por,jo të Kosovës dhe ShBA-, por të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të ShBA-.

“Epoka e re”: Nëse Qeveria e Kosovës nuk e dëgjon ShBA-në për këtë çështje, a mund të sanksionohet Kosova nga partneri i saj strategjik?

Murati: Siç edhe janë indikacionet, mund të ketë ngrirje të disa programeve ekonomike dhe, ndoshta,edhe ndonjë ngrirje bashkëpunimi sa i përket FSK-së. Sidoqoftë, këto masa i shoh të përkohshme sepse të gjitha indikacionet janë që LDK-ja në këso rrethanash nuk do të rrijë në qeveri dhe atëherë do të kishim krejt një situatë tjetër. Unë ende po besoj se kryeministri do të reflektojë dhe do t’i marrë masat e duhura në mënyrë që ta zhbllokojë këtë situatë me administratën amerikane dhe t’ia hapë vetes mundësinë që ta realizojë programin e vet qeverisës dhe do t’ia hapëKosovës perspektivën përmes një marrëveshjeje me Serbinë. Kjo do të ishte jo e mirë vetëm për kryeministrin e qeverinë e tij, por edhe për Kosovën.

“Epoka e re”: Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sapo është kthyer nga vizita në ShBA, ku ka pasur një takim edhe me presidentin serb. Si e keni parë takimin e dy presidentëve në Shtëpinë e Bardhë? Çfarë ndikimi do të ketë në vazhdimin e procesit të dialogut në mes të dy shteteve?

Murati: Sigurisht vizita e presidentit Thaçi ishte një vizitë e nivelit të lartë dhe nuk ka dyshim se ishte në funksion të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pra, ishte edhe në funksion të dinamikës së re që ka imponuar përfshirja amerikane në dialog. Përfshirje të cilën, mos ta harrojmë, e kemi kërkuar me ngulm vetë ne si Kosovë,si institucione, parti politike, shoqëri civile, media e opinion publik. Në anën tjetër, ashtu siç u kuptua nga zëvendëskryeministri Hoti, në Shtëpinë e Bardhë ka qenë e planifikuar të ishin edhe kryeministri Kurti e z.Hoti nëse do të hiqej tarifa. Në këtë kontekst, një takim i tillë ka shpërfaqur goxha shumë kaosin në të cilin ne gjendemi si politikë e shoqëri. Një takim i tillë, që duhej të shihej si një e arritur, sepse për herë të parë në nivel të barabartë po takoheshin në Shtëpinë e Bardhë presidenti Thaçi dhe presidenti Vuçiq, u kthye në çështje kontestuese për shkak të qëndrimeve të kryeministrit Kurti dhe raporteve në mes të kryeministrit dhe presidentit. Sigurisht ky takim ka ndodhur edhe nën ndikimin amerikan të cilët janë të interesuar që ta kryejnë këtë marrëveshje sa më shpejt që është e mundur. Ne duhet ta kuptojmë se dialogu dhe marrëveshja së pari është interes yni, por është interes edhe i aleatëve tanë, e sidomos amerikanëve të cilët synojnë që përmes një marrëveshjeje të tillë tapengojnë ndërhyrjen ruse në Ballkan e sidomos në ato ku ka vatra krize. Kështu ky takim dhe ndërhyrja amerikane që po i jep krejt dinamikë tjetër procesit të dialogut nuk na jep shumë komoditet që të qëndrojmë anash. Gjithashtu, në këtë proces si kurrë më parë janë të përfshirë nivelet më të larta dhe më me ndikim të administratës amerikane si ambasadori Grenell, këshilltari për siguri kombëtare O’Brien, por edhe të vetë presidenti Trump. Mos ta harrojmë anashkaliminqë ia kemi bërë letrës së presidentit Trump dërguar presidentit Thaçi në dhjetor të vitit 2018. Kjo letër tërësisht është injoruar në mënyrën më të papërgjegjshme nga politika jonë. Ky injorim po na kushton me futjen në një proces të shpejtë e të përçarë nga brenda, përderisa kemi pasur shumë më shumë kohë që të bëheshim pjesë të një dialogu më të gjatë e më të strukturuar. Megjithatë nuk guxojmë të humbim këtë rast në mënyrë që të zgjidhim çështjet e mbetura me Serbinë. Kam besimin e plotë që marrëveshja përfundimtare do ta përfshijë ripërcaktimin e kufijve e jo variantin me autonomi territoriale për serbët në Kosovë, variant që do të ishte katastrofal për Kosovën, sidomos për funksionalitetin e shtetit të Kosovës si dhe për shqiptarët që do të mbeteshin në Kosovën Lindore nën Serbi. Nëse ndodh kjo e fundit, një përgjegjësi historike do ta mbartë klasa jonë politike, një pjesë e mediave dhe shoqërisë civile të cilat në mënyrë aq jo parimore e kanë luftuar idenë e ripërcaktimit të kufijve, e vetmja ide e cila e funksionalizon shtetin e Kosovës, bashkon Kovën Lindore me Kosovën dhe hap edhe mundësinë për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një entitet shtetëror.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksierët kosovarë janë në fazën finale të përgatitjeve për turneun…